Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka pritur në Prishtinë homologun e saj gjerman, Heiko Maas, me të cilin ka mbajtur takim bilateral, transmeron Kosova Post.
Ministrja Gërvalla në takimin e saj me Maas në objektin e Qeverisë së Kosovës, e ka falënderuar homologun e saj për vizitën, duke vlerësuar raportet midis Kosovës dhe Gjermanisë si të shkëlqyera.
Sipas komunikatës për media nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), gjatë takimit, dy ministrat janë fokusuar në diskutime lidhur me marrëveshjet bilaterale në mes të dy vendeve, me ç’rast kanë vlerësuar se duhet të thellohet bashkëpunimi në të gjitha fushat, përfshirë ekonominë, arsimin e shkencën.
“Kosovës iu tha se do t’i ofrohet përkrahje për thellim të bashkëpunimeve bilaterale edhe në raport me shtetet e tjera të BE-së”, thuhet në njoftim.
I njëjti burim bën të ditur se në takimin Gërvalla-Maas është diskutuar për marrëveshjen për njohjen e patentë-shoferëve kosovarë në Gjermani, marrëveshje e cila është afër përmbylljes. Ndërkaq, u nënvizua edhe roli i diasporës shqiptare në Gjermani, ku mbi 400 mijë shqiptar u tha të jenë të integruar mirë në shoqërinë gjermane.
“Pala gjermane shprehu gatishmërinë që të ofrojë mbështetje për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës së Kosovës sa i përket reformave të brendshme, por edhe për shërbimin e saj të jashtëm”, përfundon njoftimi.
Maas me takimin me ministren Gërvalla mbyll takimet zyrtare në Kosovë, ku më herët është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti dhe me presidenten Vjosa Osmani. Ndërkaq, të premten ai do të jetë për vizitë zyrtare në Serbi për të zhvilluar takime me presidentin Aleksandar Vuçiq, kryeministren Ana Brnabiq dhe homologun e tij serb, Nikolla Selakoviq.(AA)