Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar pas tragjedisë që ka ndodhur mbrëmë në Pejë ku mbetën të vrarë dy persona, dhe zjarrit masiv në spitalin e Tetovës, ku humbën jetën 10 pacientë dhe shumë të tjerë u lënduan.
Konjufca iu ka shprehur ngushëllime familjeve Ademaj e Kadriaj, dhe poashtu ngushëlloi familjarët e viktimave nga zjarri në Tetovë.
“Bashkëndjejmë thellë me të gjitha familjet të cilat i humbën më të dashurit e tyre në këtë tragjedi të papërshkrueshme. Kurse të lënduarve ju dëshirojmë të shërohen.Pranoni ngushëllimet e mia dhe të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar kryekuvendari Konjufca në Facebook.
Postimi i plotë i Konjufcës:
Të gjithë jemi shumë të tronditur nga dy ngjarjet e sontme, të cilat na prekën e na pikëlluan pa masë.
Vrasja e Astrit Ademaj, kandidat për kryetar të Pejës nga PDK-ja dhe e Blerand Kadriajt nga Deçani është një krim i rëndë autorët e të cilit duhet të gjenden menjëherë. Inkurajojmë organet e rendit të bëjnë çmos që të zbardhet rasti e të kapen dorasit.
Familjeve Ademaj e Kadriaj ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta.
Po sonte u trishtuam edhe nga djegia e spitalit në Tetovë. Deri tash mësohet për disa viktima dhe të tjerë të lënduar rëndë.
Bashkëndjejmë thellë me të gjitha familjet të cilat i humbën më të dashurit e tyre në këtë tragjedi të papërshkrueshme. Kurse të lënduarve ju dëshirojmë të shërohen.
Pranoni ngushëllimet e mia dhe të Kuvendit të Republikës së Kosovës.