Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, për “rizgjedhjen e tij të suksesshme presidenciale”, transmeton Kosova Post.
Kryeministri Kurti përgëzoi presidentin Erdoğan në një mesazh urimi në rrjetet sociale.
“Urimet e mia të sinqerta për presidentin Recep Tayyip Erdoğan për rizgjedhjen e tij të suksesshme presidenciale. Presim me pa durim të thellojmë më tej bashkëpunimin dypalësh strategjik midis Kosovës dhe Türkiyes”, shkroi Kurti në Twitter.
Sipas rezultateve jozyrtare, njoftoi kreu i Këshillit Suprem Zgjedhor të Türkiyes (YSK), Ahmet Yener, presidenti aktual Erdoğan fitoi garën zgjedhore me 52,14 për qind të votave, ndërsa kandidati i opozitës, Kemal Kılıçdaroğlu, grumbulloi 47,86 për qind të votave. Yener shtoi se deri më tani në mbarë vendin janë hapur 99,43 për qind e kutive të votimit.
Mbi 64,1 milionë qytetarë turq patën mundësinë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës, përfshirë mbi 1,92 milion qytetarë të cilët hodhën votën e tyre në qendrat e votimit jashtë vendit.
Më 14 maj, në raundin e parë, asnjë kandidat nuk arriti të sigurojë 50 për qind të votave, duke çuar zgjedhjet në raundin e dytë, megjithëse Erdoğan kryesoi me 49,52 për qind.