Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, e ka uruar Memli Krasniqin, pasi ky i fundit e fitoi garën e brendshme partiake, për të dalë në krye të saj, si kryetar i ri, shkruan Kosova Post.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka mbajtur sot konventën e saj, me ç’rast e ka zgjedhur edhe kryetarin e ri.
Memli Krasniqi ka marrë besimin e anëtarëve të PDK-së, duke u bërë kështu kryetari i tretë me radhë në historinë e kësaj partie.
“Mbështetjen që e mori sot nga strukturat e subjektit të tij i garantojnë një udhëheqje stabile për t’i zhvilluar reformat që mendon se janë të nevojshme për PDK-në” – ka shkruar ndër të tjera Albin Kurti, duke shfrytëzuar rastin që ta uroj me këtë rast Krasniqin, në rrugëtimin e tij të ri politik.
Për më shumë, Kurti i ofron bashkëpunim për çështje me interes nacional:
“Si kryeministër i Kosovës dhe kryetar i Lëvizjes i ofroj bashkëpunim në temat me interes nacional dhe ballafaqim të ideve e qëndrimeve për të mirën e përbashkët të shtetit dhe qytetarëve. Të punosh për Kosovën e kombin tonë nuk është kurrë mjaftueshëm dhe e kemi obligim secili.”