Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar të shtunën në Turqi një diskutim me ministrin e Jashtëm të Austrisë Alexander Schallenberg si dhe përfaqësuesin e lartë ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt dhe zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, transmeton KosovaPost.
Ai gjatë këtij diskutimi ka thënë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin mund të ndalohet vetëm kur bota bashkohet.
“Ne nuk duhet t’u dorëzohemi autokratëve në asnjë vend dhe asnjëherë. Vetëm një botë që është e bashkuar dhe aktive e demokratike do të ndalojë Putinin dhe do të parandalojë despotë të tjerë në të ardhmen”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Kryeministri Kurti po merr pjesë në Forumin për Diplomaci që po mbahet në Antalia të Turqisë.
Forumi në Antali të Turqisë i zhvillon punimet prej 11 deri më 13 mars dhe në të marrin pjesë përfaqësues nga rreth 70 shtete.