Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në lidhje me Byronë për konfiskimin e pasurisë, pasi në mbledhjen e qeverisë është miratuar projektligji i përmirësuar nga Ministria e Drejtësisë (MD).
Kurti ka thënë se pavarësisht tendencave për të zvarritur jetësimin e tij, Byroja do të bëhet.
Madje, Kurti ka thënë se kjo byro do të parandalojë keqpërdorimin e buxhetit të shtetit kosovar.
“Le të vazhdojmë me shqyrtimin e Projektligjit për byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Njëra ndër nismat më të rëndësishme të qeverisë sonë, përmes së cilës luftohet keqpërdorimi i detyrës zyrtare dhe ndiqet pasuria e pajustifikueshme është koncepti i konfiskimit civil. Ndonëse Ligji për byronë ishte votuar në Kuvend më 9 shkurt 2023, një grup opozitar e kontestoi në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatës Kushtetuese iu deshën plot 17 muaj për të nxjerrë aktgjykim për Ligjin për byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, 17 muaj për një aktgjykim i cili rrëzoi vetëm katër nene nga gjithsej 71 sa kishte ligji. Të nderuar kolegë pas publikimit të këtij aktgjykimi më 29 korrik të këtij viti, MD-ja me përkushtim ka adresuar ndryshimet në këto katër nene dhe ka finalizuar Projektligjin për byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, të cilin e keni para vetës. Pavarësisht tendencave për ta zvarritur jetësimin e këtij ligji të rëndësishëm, byroja do të bëhet, jetësimi i konceptit të konfiskimit civil si zotim i yni, përveçse do ta ruajë pasurinë publikë dhe do t’ia kthejë shtetin atë që është përfituar kundërligjshëm, byroja gjithashtu do të shërbejë edhe si parandalim që kurrë më të mos keqpërdoret buxheti i shtetit dhe pozita zyrtare”, ka thënë Kurti.