Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pas homazheve me rastin e Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës, sot ka bërë homazhe edhe në Dyz të Podujevës.
Në 25- vjetorin e masakrës së kryer nga forcat e armatosura të Serbisë, atje përkujtoi mbi 200 vrarët.
“Forcat e Serbisë këtu në trevat e Gollakut e të Llapit, në Dyz e në Koliq, kanë vrarë mbi 200 civilë të paarmatosur, të pambrojtur, pa i kursyer moshat e shtyra apo fëmijët e vegjël. Sot e kësaj dite ndonëse e kemi lirinë, pavarësinë, shtetin e demokracinë, nuk e kemi edhe drejtësinë për këto humbje të tmerrshme që i ka përjetuar populli, e në veçanti familjet”, tha kryeministri Kurti.
Tutje në kumtesën për media nga zyra e kryeministrit thuhet se e vërteta e plotë ndodhet në arkivat në Beograd, të ushtrisë e të policisë atje.
Tutje në kumtesën për media nga zyra e kryeministrit thuhet se e vërteta e plotë ndodhet në arkivat në Beograd, të ushtrisë e të policisë atje.
Ai ritheksoi nevojën për drejtësi dhe thirrjen ndaj prokurorisë dhe gjyqësorit tonë për të intervistuar dëshmitarët, për të grumbulluar evidencat materiale e për të filluar me aktakuza, gjykime e dënime në mungesë.
“Ne nuk duhet të harrojmë që edhe lirinë që e gëzojmë, por edhe përgjegjësitë që i kemi në shtet, i kanë rrënjët te gjaku i dëshmorëve që nuk shlyhet dhe te emrat e tyre që nuk harrohen, sepse i përkasin historisë së popullit tonë tashmë”, përfundoi Kurti, duke nderuar dëshmorët e martirët e rënë heroikisht në Dyz, Llap e Gollak, dhe anembanë Kosovës.