Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, është i pari që menjëherë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për themelimin e Fondit të Sigurisë, është shprehur i gatshëm që pagën e tij të muajit shkurt ta dhurojë për këtë fond, përcjell KosovaPost.
Muharremaj përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se rrogën e tij të muajt shkurt do ta kalojë në Fondin për Siguri.
Ai thotë se është momenti i duhur që Kosova ta avancojë ushtrinë e saj.
“Si ushtarak me profesion, por edhe si ish-pjesëtar i UÇK-së, e konsideroj se është momenti i duhur ta ndihmojmë avancimin e ushtrisë sonë, pra Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka shkruar Muharremaj.
Ai poashtu u ka bërë ftesë deputetëve, ministrave dhe udhëheqësve të dikastereve të tjera që t’i ndajnë të ardhurat e tyre për sigurinë e vendit.
“Megjithëse qytetarët tanë po përballen edhe me rritje çmimesh, si në energji elektrike e shumë të tjera, le ta bartim më shumë ne udhëheqësit peshën e kësaj situate”, ka thënë Muharremaj.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka hapur Fondin për Siguri.