Të mërkurën në mediat e Kosovës ka qarkulluar një “Draft gjerman”, për Asociacionin.
Drafti përmban 17 nene dhe parasheh që ky Asociacion do t’i ketë 10 komuna me mundësi zgjerimi.
Lidhur me këtë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë për Telegrafin se qëndrimi qeveritar për Asociacionin është i pandryshueshëm.
Sipas Kryeziut, Asociacioni që karakter themeltar, kanë etninë, bien ndesh me Kushtetutën.
“Qëndrimi jonë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është i njohur, i qartë dhe i njëjtë. Asociacioni që karakter themeltar kanë etninë bien ndesh me Kushtetutën e Republikës sonë dhe vet karakterit e shtetit tonë. Për më tepër, komunitetet jo-shumicë kenë nevojë për integrim, jo izolim”, tha ai.
Sa i përket dokumentit që ka qarkulluar në media, Kryeziu ka thënë se përveçse është Draft, është edhe pa autor.
“Në anën tjetër ne jemi Qeveri e Republikës së Kosovës që kemi kushtetutshmëri dhe ligje të cilat i mbrojmë dhe respektojmë”, u shpreh zëdhënësi i Qeverisë.
Ndërkaq, sipas draftit, janë disa objektiva kryesore të Asociacionit: Forcimi i demokracisë lokale, mbikëqyrja e plotë e zhvillimit të ekonomisë lokale dhe ajo e edukimit.
Ndër funksionet që përfshin drafti është edhe mundësia e bashkëpunimit me shtete e operatorë ekonomikë të rajonit, përfshirë të Republikës së Serbisë në fushën e ekonomisë lokale, edukimit e shëndetësisë.