Incidentet në veri të Kosovës kanë filluar të shtohen ditëve të fundit, pasi autoritetet e vendit filluan përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat atje.
E sot është arrestuar një ish-pjesëtar i MUP-it i cili ishte integruar më parë në Policinë e Kosovës, Dejan Pantiç.
Sipas dëshmive të Policisë së Kosovës, i njëjti ka organizuar sulmin terrorist në zyret e KKZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policor.
Pas këtij rasti, një grup i serbëve, grup për të cilin thuhet se ka edhe persona të maskuar, janë organizuar për të vendosur barrikada në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok.
Këto barrikada, ashtu siç raportohet, janë vendosur për arsye që të mos lejohet dërgimi i serbit të arrestuar në Prishtinë, shkruan KosovaNews.
Ndërkaq, Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ferenc Kajári, muaj më parë pati thënë se KFOR-i nuk do të lejojë barrikadimin e rrugëve që çojnë në pikat kufitare të Kosovës me Serbinë në rast të ndonjë tentimi nga serbët që jetojnë në komunat veriore sepse Rezoluta 1244 e OKB-së i jep dy detyra KFOR-it në Kosovë, që ai i ka quajtur detyra madhore: ‘Pér ta mbajtur mjedisin e sigurt dhe rregullin në Kosovë dhe për ta ruajtur lirinë e lëvizjes së lirë për të gjithë qytetarët.
“Nese krijohen barrikada kjo e pengon levizjene lirë dhe nëse nuk arrihet marrëveshja, atëherë do të arrijmë ne një moment ku KFOR-i do të duhet të veprojë për të mundësuar lirinë e lëvizjes”, ka shtuar Kajari për televizionin publik të Kosovës.
Më herët, nga ky mision ka paralajmëruar se është i gatshëm të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti në Kosovë, mirëpo deri më tani nuk ka pasur ndonjë reagim rreth situatës së sotme në veri.
Se si pritet të veprojë KFOR-i në orët në vazhdim, mbetet të shihet.