Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, për çështjen e dialogut Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, para pak minutash njoftoi se ndërmjet palëve, është arritur një marrëveshje, transmeton Kosova Post.
Sipas tij, dialogu intensiv që ka vijuar për dy ditë, ka dhënë frute.
Ndërsa dokumenti që ka publikuar specifikon që marrëveshja të hyjë në fuqi të shtunën më 2 tetor 2021. Sipas kësaj, trupat e Njësisë Speciale në veri do të zëvendësohen me trupat e KFOR-it.
“Më 2 tetor Njësia Speciale që aktualisht është në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjakë, do të largohet dhe në të njëjtën kohë do të ndodh zhbllokimi i rrugëve, duke filluar nga ora 08:00, por jo më vonë se ora 16:00. KFOR-i do të vendoset në Jarinje dhe Bërnjakë, para fillimit të tërheqjes së sinkronizuar të Njësive Speciale dhe barrikadave, dhe do të qëndrojnë atje afërsisht dy javë për të ofruar ambient të qetë dhe të sigurt, si dhe për të mundësuar lëvizjen e lirë.
Me datën 4 tetor, në ora 08 të mëngjesit do të filloj zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra tjetrës.
– Do të krijohet një grup punues i përbërë nga përfaqësues të BE-së, Beogradit dhe Prishtinës, të kryesuar nga BE-ja do të formohet për të gjetur një zgjidhje përfundimtare rreth targave, bazuar në standarded dhe praktikat e BE-së. Takimi i parë i këtij grupi do të mbahet më 21 tetor 2021 në Bruksel. Brenda gjashtë muajve nga takimi i parë, grupi punues do t’i publikojë të gjeturat për zgjidhjen përfundimtare para përfaqësuesve të nivelit më të lartë në procesin e Dialogut” – thuhet në këto pika. /KosovaPost/