Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti po vlerëson se dialogu duhet të jetë një proces i cili bazohet në përmbajtjen e marrëveshjes, e jo në ngutin për ta arritur atë.
Sipas tij, ky proces nuk duhet të ndërtohet mbi harta dhe nuk duhet të ketë presidentë rrotull si në të kaluarën.
Kreu i LVV-së ka theksuar se 14 shkurti do të jetë referendum.
Shkrimi i plotë:
Dialogu duhet të jetë një proces i cili bazohet në përmbajtjen e marrëveshjes, e jo në ngutin për ta arritur atë. Dialogu nuk duhet të ndërtohet mbi harta dhe mbi harta nuk duhet të ketë presidentë rrotull si në të kaluarën. Parakusht për normalizimin e raporteve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë normalizimi i vetë vendeve nëpërmjet këtij procesi. Serbia nuk është një vend demokratik, ajo refuzon të ballafaqohet me të kaluarën, prandaj ky proces dialogues i ndërmjetësuar nga BE dhe ShBA, së pari do të duhej ta normalizonte Serbinë.
Synim përfundimtar i këtij procesi do të duhej të ishte përmirësimi i jetës së qytetarëve dhe jo kompensimi i Serbisë për humbjet që i pësoi regjimi gjenocidal i Milosheviqit në vitet e ’90-ta.
Një marrëveshje mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e cila bazohet në vlera dhe parime, përveçse në fakte e interesa, do të kishte ndikim pozitiv në tërë rajonin, i cili së bashku duhet të përparojë drejt integrimeve evropiane dhe euro-atlantike. Procesi i integrimit mund të përshpejtohet me një bashkëpunim më intensiv të vendeve të rajonit në kuadër të Procesit të Berlinit që duhet avancuar nga një “Plan Marshal” për Ballkanin Perëndimor, që do të ndihmonte në demokratizimin e vendeve, zhvillimin e ekonomive të tyre dhe bashkimin e qyteteve të ndara, të cilat mbesin si plagë të hapura në disa vende të Ballkanit.