Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur edhe mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Ai ka thënë se nuk mund të shkojë në zgjedhje pa opozitën, transmeton KosovaPost.
Sipas tij, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga viti 2020 ka treguar që për shpërndarje të kuvendit duhen dy te tretat dhe nuk ka mundësi tjetër që automatikisht të shkohet në zgjedhje.
Kryeministri Kurti ka premtuar se do ta ndihmojë opozitën për të shkuar në zgjedhje./rtk
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku ndaj ftesës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për opozitën se nëse nuk i ka numrat mund ta ndihmojë me votat e partisë së tij për ta rrëzuar nga pushteti.
Kryetari i LDK-së e ka ftuar Kurtin që të ofrojë dorëheqjen në rast se është dorëzuar nga puna si kryeministër. Ai në emisionin Pressing ka shtuar se LDK-ja është e gatshme për zgjedhje që nga sonte (e enjte, 21 mars).
“Le ta jap qartë, zëshëm, nëse është dorëzuar e duket se është dorëzuar, le të jap dorëheqje. Pra nëse është dorëzuar le të jap dorëheqje. Por le të ia shpjegoj popullit pse po i lë. LDK-ja nuk bën mocion të shpërbërjes së Kuvendit, por është e gatshme për zgjedhje prej sot. Është e gatshme edhe për qeverisje pas zgjedhjeve”, ka thënë Abdixhiku.
Nderkaq, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i është përgjigjur thirrjes së kryeministrit Albin Kurti për zgjedhjet e reja.
Krasniqi i ka bërë të ditur Kurtit se prej nesër nënshkrimet e partisë që ai drejton (PDK-së) janë gati.
“Kryeministër, prej korrikut të vitit të kaluar të kam ba thirrje e të kam pritë që me shpërnda Kuvendin. Prej nesër nënshkrimet e PDK-së janë gati. Çohu shkojmë në zgjedhje menjëherë – nëse ke guxim e të ka mbetë pak ndërgjegje për situatën e vështirë që e ke sjellë vendin””, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook.