Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, sot ia ka ndarë çmimin për performancën më të mirë komunale për vitin 2019, Komunës së Drenasit, shkruan Kosova Post.
Çmimin e ka pranuar Kryetari i Komunës Ramiz Lladrovci, i cili po ashtu është vlerësuar për udhëheqjen e tij në krye të kësaj komune.
Komuna është vlerësuar me 72 pikë, ndërsa performanca e kryetarit Lladrovci me 68 pikë.
Pas Drenasit janë radhitur komuna e Rahovecit dhe ajo e Obiliqit.
Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e matjes së performancës komunale.
“Pasqyra e zhvillimit dhe progresit tonë si shoqëri janë pikërisht komunat në tërësinë e tyre. Komunat mund të punojnë në planet dhe strategjitë e zhvillimit ekonomik.”, u shpreh Kurti.
Ndërkaq Lladrovci është shprehur i ngazëllyer për këtë vlerësim, ndërkaq nuk e ka lëshuar rastin që ta njoftojë opinionin, nëpërmjet një postimi të gjatë në Facebook:
“Performanca jonë shembullore në zbatim të ligjit dhe transparencës, me treguesit: Qeverisja demokratike, Menaxhimi komunal dhe Ofrimi i shërbimeve, rikonfirmohet nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Falënderoj ministrin e MAPL, z. Krasniqi, Zyrën Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, Agjencinë Suedeze dhe Ambasadën Norvegjeze për objektivitetin dhe vlerësimin e performancës së komunës së Drenasit.”
Ai ka shkruar se mbetet i përkushtuar, bashkë me ekipin e tij, që të punojë edhe më tutje për ngritjen e cilësisë së qeverisjes./KosovaPost/