Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti ka mbajtur një tubim në qytetin e Kastriotit (Obiliq).
Në fjalën e tij të rastit, Kurti u shpreh se ashtu siç është shtëpia për familjen, është edhe shteti për popullin.
Ndër të tjera, Kurti theksoi zhvillimin ekonomik dhe mbrojtjen e sovranitetit të Republikës cep më cep territorit.
“Qeveria e Kosovës ka investuar në KEK dhe në komunën e Kastriotit. Kryeministri Kurti kujtoi punësimet që janë bërë, duke vënë theksin te banorët e Kastriotit, sidomos gratë dhe vajzat në sektorin e energjisë”, thuhet në njoftimin e LVV-së.
“Vetëm për dy vjet, KEK-ut ia kemi shtuar 745 punëtorë të rinj. E prej këtyre 745 punëtorëve të rinj, mbi 400 janë banorë të Kastriotit; pra, më shumë se gjysma e të punësuarve të rinj në KEK janë nga komuna juaj e dashur. Ky nuk është favorizim, kjo është drejtësi, është meritë. Kush më mirë se banorët e Kastriotit e njeh KEK-un dhe terrenin e tij? Kush punon me më shumë zell për KEK-un sesa banorët e Kastriotit? Askush. 44 gra, ose 22% e të gjitha grave që punojnë sot në KEK, janë punësuar gjatë mandatit tonë qeverisës. Ndërkaq, në mandatin e ri do të kemi programe të reja, posaçërisht për gra e vajza, për punësim në sektorin e energjisë dhe në KEK. Ne punësojmë në KEK, sepse ne investojmë në KEK”, tha Kurti.
“Në fund, Kryeministri Kurti bëri thirrje që, përveç votës personale, të angazhohemi e t’i ftojmë edhe familjarët, miqtë dhe kolegët e punës që t’i bashkohen votimit të numrit 118 dhe fitores madhështore të 500 mijë zemrave, cep më cep Kosovës, më 9 shkurt të këtij viti”, thuhet në njoftimin e LVV./Arbresh.info