Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një intervistë për “El Pais”, ka deklaruar se Spanja duhet ta njohë Kosovën si shtet. Sipas Kurtit, rasti i Katalonjës dhe Kosovës janë të ndryshme. Kryeministri Kurti ka dhënë mesazhin e qartë për Spanjën që të mos krahasohet me Serbinë, pasi sipas tij, kjo e fundit ka kryer gjenocid në Kosovë, transmeton KosovaPost.
“Rusia bën presion për të rritur jostabilitetin në kufijtë e BE-së. Rastet e Katalonjës dhe Baskëve janë të ndryshme dhe njohja e pavarësisë së Kosovës do ta ndihmonte Spanjën ta demonstronte. Ata nuk duhet të krahasohen me Serbinë, kanë bërë gjenocid”, tha Kurti.
Deklarata e Kurtit vjen pas dialogut Prishtinë-Beograd të mbajtur në Bruksel me ndërmjetësimin e BE, i cili përfundoi pa marrëveshje. Ishte kryediplomati i BE-së, Joseph Borrell ai i cili e bëri me dije lajmin ndërsa doli i vetëm në konferencën për shtyp.
Më 17 gusht, Kurti dhe Vuçiç zhvilluan një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO, Jens Stoltenberg. Ky i fundit u bëri thirrje palëve që të vepronin me përmbajtje dhe të shmangnin retorikat e padobishme.