Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se përkrahja e shtetit për fermerë ka qenë prioritet i politikave ndërsa theksoi se janë dhënë mbi 300 milionë euro për afër 120 mijë përfitues në katër vjet, përcjell KosovaPost.
Me anë të një postimi në Fcebook, Kurti tha se për herë të parë në vend e rajon do të subvencionohen bimët mjaltëdhënëse me 450 euro.
Ndër të tjera, Kurti theksoi se me programin e sivjetmë do të rritet subvencionimi për blegtorët e deleve dhe bletarët.
“Dje ishim për vizitë në fermën e deleve të familjes së Xhelal Shalakut në fshatin Dardhishtë, dhe në bletarinë e Hyd Kelmendit dhe Trimor Stullqakut në fshatin Hamidi. Përkrahjen për blegtorët e deleve dhe bletarët e kemi rritur në vazhdimësi. E gjetëm me 20 euro subvencion për kokë dele, ndërkaq në programin e sivjetmë do të jetë 30 euro – 50% më shumë. Në vitin 2020 subvencionimi për koshere ishte 15 euro, sivjet do të jetë 25 euro – mbi 66% më shumë. Për herë të parë në vend e rajon, po subvencionojmë bimët mjaltëdhënëse me 450 euro, duke krijuar mundësi për më shumë të hyra për fermerët nga prodhimi shtesë i mjaltit nga bimët dhe bletë më të shëndetshme. Në dy vjet e fundit fondin blegtoral për gjedhe e kemi rritur për 11.3 milionë euro. Me të njëjtin ritëm, duke synuar më shumë e më mirë, vijojmë edhe pas 9 shkurtit”, ka shkruar Kurti.