Kurti: Platforma E-Komuna u mundëson qytetarëve shërbime më të mira

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka organizuar ceremoninë e lansimit të shërbimeve të E-Komuna e cila është pjesë e platformës shtetërore E-Kosova.

Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti tha se përmes kësaj strategjie do të mundësohet që qytetarët të marrin shërbime më të mira.

Sipas shefit të ekzekutivit, përmes E-Komunës qytetarët do të jenë më të informuar për zhvillimet në komunat e tyre, si dhe do të krijohet një linjë komunikimi mes tyre dhe komunarëve.

“Ky transformim mundëson shërbime më të mira për qytetarët dhe bizneset. Përmes strategjisë së re E-Komuna kemi filluar një sërë reformash në zhvillimin e qeverisë dixhitale. E kur flasim për shërbime, qëllimi nuk është vetëm dixhitalizimi, por shërbimet duhet të ridizajnohen që ta kenë në fokus qytetarin. Parimi themelor gjatë ofrimit të shërbimeve është ai i gjithëpërfshirjes. Duhet të sigurohemi që asnjë qytetarë të mos mbetet mbrapa. Ne jemi të përkushtuar që ky proces transformues të jetë edhe i sigurt”, tha Kurti.

Ai tutje tha se sot po lansohet një numër i shërbimeve të reja në platformën E-Kosova, e që sipas tij ato rrisin interaksionet mes komunave dhe qytetarëve, duke bërë që qytetarët të jenë të informuar në kohë reale për zhvillimet në komunën e tyre.

“Qëllimi është që të krijohet një linjë e drejtpërdrejtë komunikimi mes qytetarëve dhe të zgjedhurve të tyre. Kjo do të përmirësojë edhe llogaridhënien”, tha tutje kryeministri.

Ndërsa, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tregoi se cilat shërbime do të shtohen.

“Disa nga shërbimet që planifikohen në fazën e parë janë: Transmetimi i mbledhjeve të asambleve komunale, raportimi i problemeve në komunat përkatëse, informacionet mbi komunat, qasja te pasuria e zyrtarëve komunal, inicimi dhe pjesëmarrja në debatet publike. Përmes këtyre shërbimeve qytetarët kanë mundësi të adresojnë më lehtë kërkesat e tyre të organet komunale. Në fazën e dytë do të përfshihen edhe shërbime tjera”, tha ai.

Sipas zv.ministrit të Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobrës, përmes zhvillimit të këtyre shërbimeve do të rritet edhe llogaridhënia e institucioneve.

“Reforma ka për qëllim përmirësimin e cilësisë së punës në institucione. Jo vetëm që ka më shumë shërbime për të gjithë, por edhe cilësia e tyre po përmirësohet. Po kalojmë në shërbime të plota, cilësore e të qasshme 24 orë në ditë”, theksoi ai.

Në ceremoninë e organizuar për lansimin e platformës E-Komuna morën pjesë edhe kryetarë komunash e zyrtarë komunal.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish

Tjera nga rubrika