Ambasadori William Walker është nderuar me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë.
Pjesë e kësaj ceremonie ishte edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.
Kurti tha se Walker do të jetë gjithmonë mik i Kosovës dhe kontributi i tij për popullin tonë do të jetë gjithmonë i patjetërsueshëm.
“Sot jemi mbledhur këtu që ambasadorit Walker t’ia ndajmë këtë vlerësim të lartë. Në fakt të gjithë ne që jemi sot këtu jemi të nderuar pa masë me praninë e tij në qytetin e bukur të Pejës. Kjo fotografi e ambasadorit Walker që është këtu prapa meje është fotografi shumë e shumë vjet e vjetër, por që njëkohësisht dëshmon se sa i ri vazhdon të jetë ambasadori. Në kohëra të vështira historike, njësoj siç në periudha krizash personale, një mik i mirë mund të jetë shpëtimi i nevojshëm, madje edhe atëherë kur nuk e keni një mik të mirë, janë pikërisht kohërat e vështira që mund ta sjellin një të tillë. Në botën e traditave shqiptare miku i shtëpisë është një figurë tejet e respektuar që nderohet deri në paprekshmëri. Walker është vërtetë një mik i Kosovës. Dua të them që Walker është edhe miku im që nga koha e luftës kur jemi takuar për herë të parë, e deri më sot kur po ritakohemi sërish. Ne shqiptarët nuk do t’ua harrojmë asnjëherë atë çfarë keni bërë për Kosovën dhe historia e popullit tonë tashmë e ka rezervuar një vend të veçantë për emrin tuaj dhe për rolin e kontributin tuaj”, tha Kurti ndër të tjera.