Drejtori i Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq, ka thënë sot se kryeministri i Kosovës Albin Kurti duke shkuar në komunën e Leposaviqit dhe më pas në Zubin Potok, ka vendosur të ngrejë tensione të reja në veri vetëm një ditë para vazhdimit të dialogut në Bruksel, transmeton KosovaPost.
Petkoviqi e cilësoi “provokim” vizitën e kryeministrit Kurti në këtë zonë të banuar kryesisht nga serbë etnikë, ndërsa pyet nëse kryeministri ishte në vizitë me pëlqimin e KFOR-t dhe EULEX-it.
“Kurti s’ka çfarë të kërkojë në veri, ku nuk është i mirëpritur. Fakti që i gjithë Leposaviqi u bllokua kur ai shkoi në ndërtesën e komunës, ku e priste kryetari i ‘rremë’, dëshmon se për çfarë demonstrimi të forcës bëhet fjalë. Gjithashtu, fakti që të gjitha rrugët janë bosh në Leposaviq dhe Zubin Potok tregon se populli serb shfaqin ‘injorim’ ndaj provokimit të Kurtit”, u shpreh Petkoviq.
“Por shtrohet pyetja se kush e miratoi vizitën e Kurtit në veri dhe në çfarë mënyre, kush nga përfaqësuesit ndërkombëtarë është informuar nëse KFOR-i dhe EULEX-i kanë ndihmuar dhe dhënë pëlqimin për këtë provokim?”, shtoi ndër të tjera Petkoviq.