Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), bën të ditur se të gjithë kandidatët, të cilët kanë aplikuar i kanë plotësuar kriteret dhe konsiderohen formalisht si kandidatë për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, pozitë kjo që aktualisht e mban Aleksandër Lumezi.
‘Procesi i shikimit të materialeve të këtyre gjashtë kandidatëve është zhvilluar në prani fizike dhe përmes platformës Zoom të përfaqësuesve të Ambasadës Amerikane, Zyrës së BE-së, EULEX-it, Grupit për Studime Juridike dhe Politike, i cili është implementues i Projektit “Monitorimi i sistemit gjyqësor dhe Prokurorial në Kosovë”, i financuar nga Ambasada Britanike në Kosovë, Instituti i Kosovës për Drejtësi, Lëvizja Fol, Rrjeti i OJQ-ve “AVONET” dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut’, thuhet në njoftimit e KPK-së.
Tutje, vazhdon njoftimi se “Pas shikimit të materialeve të dorëzuara nga ana e kandidatëve, Kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku, ka konfirmuar se të gjithë kandidatët që kanë aplikuar i kanë plotësuar kriteret dhe konsiderohen formalisht si kandidatë për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit”.
Kandidatët që kanë aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe që kanë plotësuar kriteret janë:
- Arben Ismajli, Prokuror në Prokurorinë e Apelit;
- Armend Hamiti, Prokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës;
- Blerim Isufaj, Kryeprokuror në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës;
- Kujtim Munishi, Kryeprokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës;
- Lulzim Sulejmani, Prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe
- Shqipdon Fazliu, Prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
“Kjo listë me emrat e kandidatëve do të dërgohet te Këshilli Prokurorial i Kosovës për konfirmim final.
Ndërkaq, Këshilli Prokurorial i Kosovës do të njoftojë me kohë për procedurat e tjera të procesit të zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në njoftimin e tyre