Përfaqësuesi I BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka folur për vizitën e tij në Prishtinë dhe Beograd gjatë javës që po lëmë pas dhe për takimin e nesërm në Bruksel të kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.
Ai tha se gjatë javës që shkoi ndalesa e tij e parë ishte në Prishtinë, ku u takua me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi.
Më tej ai ka thënë se më pas ka vazhduar vizitën në veri të Kosovës për t’u takuar me bashkëbisedues të ndryshëm nga shoqëria civile dhe partitë politike dhe për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit.
“Fatkeqësisht, ajo që dëgjova më shqetësoi. Prandaj, ritheksova nevojën për të shmangur çdo mundësi përshkallëzimi dhe përqendrim të plotë në normalizimin”, ka thënë Lajçak.
“Gjatë takimit tonë, ne diskutuam rrugën përpara për zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe aneksit të saj të 18 marsit për t’u përgatitur për takimin në Bruksel që do të zhvillohet nesër. Pres që të dy kryenegociatorët të jenë të gatshëm të bien dakord për hapat eardshëm konkretë drejt zbatimit të Marrëveshjes”, ka shkruar Lajçak.
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, sot ka udhëtuar drejt Brukselit, ku të hënën në Bruksel pritet të zhvillohen takimet e radhës në nivelin e kryenegociatorëve në procesin e dialogut, i cili do të ketë në fokus zbatimin e sekuencuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit.