Spanja njeh zyrtarisht shtetin e Palestinës, ndërsa njësoj do të veprojnë edhe Irlanda dhe Norvegjia
Spanja ka njohur të martën zyrtarisht shtetin palestinez, ndërsa njësoj do të veprojnë edhe Irlanda dhe Norvegjia, më vonë gjatë ditës, përcjell Kosova Post.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka thënë të martën në mëngjes se vendi i tij do ta njohë shtetësinë palestineze, duke përfshirë Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor me Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e tij. Ai ka thënë se Spanja nuk do të njohë asnjë ndryshim të kufijve të përcaktuar më 1967, përveç nëse pajtohen palët.
“Njohja e shtetit të Palestinës është nevojë e domosdoshme, nëse të gjithë ne dëshirojmë të arrijmë paqen”, ka thënë ai.
Kryeministri spanjoll ka thënë se vendimi i shtetit të tij ka të bëjë me ofrimin e mbështetjes për Autoritetin Kombëtar Palestinez, i cili ka humbur kontrollin politik në Gazë, kur Hamasi e ka marrë pushtetin. Ai e ka prezantuar vizionin e tij për një shtet të udhëhequr prej Autoritetit Kombëtar Palestinez, i cili duhet patjetër të lidhë Bregun Perëndimor dhe Gazën me Jerusalemin Lindor, përmes një korridori.
“Për më shumë, ky vendim reflekton refuzimin tonë absolut ndaj Hamasit, organizatës terroriste që është kundër zgjidhjes me dy shtete. Spanja e ka dënuar ashpër sulmin terrorist të 7 tetorit. Ky reagim i qartë tregon për përkushtimin tonë në luftën kundër terrorizmit. Dua të theksoj që duke nisur prej nesër, ne do të fokusohemi në zbatimin e zgjidhjes me dy shtete dhe në jetësimin e tij”, ka thënë Sanchez.
Çfarë tha tjetër Sanchez?
Ky vendim është dënuar ashpër nga Izraeli dhe është parë si “shpërblim” për Hamasin grupin palestinez të shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që udhëheq Gazën. Këto tri shtete evropiane besojnë se iniciativa e tyre ka ndikim të madh dhe që do t’i inkurajojë edhe vendet tjera të veprojnë njëjtë. Ato përmendin edhe rolin historik të Norvegjisë dhe Spanjës në avancimin e përpjekjeve për paqe mes izraelitëve dhe palestinezëve.