Ndërkohë që zjarri i pyjeve në qytetin e Uljinit të Koresë së Jugut ka mbërritur afër termocentralit bërthamor të Hanulit, presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in urdhëroi që zjarri të shuhej menjëherë, transmeton KosovaPost.
Një zjarr ka rënë në zonën malore të qytetit Uljin në Korenë e Jugut. Deri më tani, 3500 hektarë tokë janë shkrumbuar nga zjarri në pyll dhe më shumë se 350 shtëpi janë përfshirë nga flakët. Zjarri në pyll, i cili u përhap me shpejtësi për shkak të erës së fortë që ishte efektive në rajon, ka mbërritur në termocentralin bërthamor të Hanulit dhe ka alarmuar autoritetet.
Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in urdhëroi që zjarri të shuhet sa më shpejt të jetë e mundur, duke i dhënë përparësi parandalimit të humbjeve të jetëve. Për të vënë nën kontroll zjarrin dhe për të parandaluar përhapjen e tij në termocentralin bërthamor, vazhdojnë punën 50 helikopterë, 330 makina zjarrfikëse dhe 1200 zjarrfikës. Zyrtarët njoftuan se është krijuar një linjë mbrojtëse për zjarrin në pyll, i cili ka arritur deri te rrethoja e jashtme e termocentralit bërthamor Hanul dhe se termocentrali nuk është dëmtuar deri më tani.
Shërbimi Kombëtar i Zjarrfikësve të Koresë së Jugut njoftoi se deri më tani 10 mijë persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre nga zjarri në pyll në rrethin e Uljinit, ndërsa nga incidenti nuk ka pasur humbje jetësh./KosovaPost/.