Si pasojë e lëndimeve, Glauk Konjufca për një kohë nuk do ta drejtoj Kuvendin e Kosovës.
Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari- Lila ka bërë të ditur se Konjufca dje në mbrëmje ka pësuar një lëndim në këmbë dhe me rekomandimin e mjekëve ai nuk do të dalë në punë.
“Kryetari i kuvendit prej sot s’do të jetë në kuvend në vendin e tij të punës, për arsye shëndetësore. Kryetari ka pasur një lëndim fizik mbrëmë dhe me rekomandim të mjekut do të duhet të qëndrojë në shtëpi në mënyrë që të ketë rikuperim të këmbës”, ka thënë Mimoza Kusari-Lila.
Në vend të tij, mbledhjen e sotme e ka drejtuar nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.