Përgatiti: Andreas Dushi
Në këtë paraqitje, të së parës skicë të letërsisë shqipe në anglisht për publikun, më duhet të kërkoj falje për mangësitë. Faktet rreth jetëve dhe veprave të shkrimtarëve shqiptarë janë jashtëzakonisht të vështira për t’u zbuluar dhe verifikuar, ndërsa disa shkrimtarë nuk janë vlerësuar siç duhet, për shkak të mungesës së informacionit për to. Pavarësisht, mendoj se vepra e tanishme jep një pamje të drejtpeshuar dhe të arsyeshme të letërsisë shqipe si e tërë dhe atyre që kanë ndihmuar në përpilimin e saj u detyrohem falenderimin tim të sinqertë.
Lexuesit që duan të njohin diçka më shumë rreth gjuhës shqipe t’i referohen times “Gramatikë të shkurtër shqipe”, Londër, 1932 që përmban një përmbledhje dhe një fjalor dhe timit “Fjalor historik të shqipes dhe anglishtes”, 1948, botuar nga The British Council.
Përkthimet e poezive janë thuajse tekstuale: rima dhe të tjerë efekte janë përftuar nga rivendojsa e fjalëve.
***
Me këtë parathënie çelet libri Albanian Literature i albanologut anglez Stuart Edward Mann. Ndër temat themelore të studimeve të tij janë indo-europeanistika si dhe gjuha dhe letërsia shqipe e çeke. Libri për të cilin po shkruajmë sot, paraqet një rëndësi të veçantë pasi, sikurse thuhet edhe në parathënie, është i pari i kësaj natyre në gjuhën angleze si dhe, mënyra e trajtimit të të dhënave është e veçantë. Për shembull, kur flet për gjuhën shqipe në Shënime hyrëse për gjuhën shqipe ndër të tjera thotë Shqipja është pasardhësja moderne e dy gjuhëve të lashta: ilirishtes (e quajtur tani Geg) dhe epiriotes (e quajtur tani Tosk). Asnjë monumet letrar i këtyre gjuhëve nuk ka mbijetuar.
Libri ndahet në XVI kapituj e në fund, indeksi i emrave, aktivistëve, shoqërive dhe periodikëve. Në kapitullin e parë flitet për traditën katolike në Shqipërinë e veriut duke u ndalur tek Matrënga e më tej, vijohet me Shekullin XVIII, Tradita biblike, Poetët e shkullit XIX në Itali dhe Siçili, Lidhja e Prizrenit dhe të mërguarit toskë, Shkrimtarët e rilindjes, Shqiptarët e Egjiptit, Shoqëria shqiptare e shtypshkrimit në Sofie, Shkrimarët e vonë të Shkollës së Bukureshtit, Shkolla e Shkodrës, Drama, Romani, Esseja dhe kritika letrare, Historianët, Gjuhëtarët bashkë me folkloristët dhe përkthyesit si dhe, Tendencat moderne.
Studimi i tij fillon qysh nga lashtësia, me dëshminë e parë të ekzistencës së shqipes, referuar fratit domenikan padër Brocardus i cili, në një pamflet të 1332 për të fituar mbështetje për kryqëzatat shkruan mes të tjerash “ndonëse shqiptarët kanë një gjuhë tjetër prej asaj latine, ato përdorin gërma latine në të gjithë librat e tyre” Sipas Mann-it, kjo është dëshmia e parë e ekzistencës së një letërsie shqipe.
Praktikisht, faktet e trajtuara prej tij janë të njohura. Ai përmend Pal Engjëllin (Paulus Angelus), fjalorin e von Harffit, Mesharin e Buzukut e mandej Budin, Mazrrekun, Bardhin, Bogdanin si dhe Matrëngën, edhe në një rafsh komperativ gjuhësor e leksikor.
Edhe për shkrimtarët arbëresh, Mann-i shkruan gjerë e gjatë. Jeronim de Radën e quan pionier të rilindjes së shekullit XIX; për Santorin shkruan i paedukuar, ai hyri në manastir 16 vjeç dhe kryesisht me përpjekje individuale e mësoi veten të shkruante dhe lexonte poezi në shqip; për Dhimitër Kamardën një poet i talentuar në shqip dhe greqisht, ai u përpoq të niste një gjuhë letrare shqipe… me përkthimin e veprës së një patriotjeje bashkëkohëse Helena Gjika (“Dora d’Istria”) në shqip, i dha formë këtij ideali; për Seremben se kishte diçka nga temperamnti i Lord Bajronit e të tjera, për të tjerët.
Lidhjen e Prizrenit, Mann-i e sheh si herën e parë kur veriorët dhe jugorët u zgjuan përballë arsyes së çështjes së bashkimit. Ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të kësaj periudhe, përmend Jani Vetron, Pashko Vasën e të tjerë, ndërsa nga periodikët, Dritën apo Diturinë.
Edhe te shkrimtarët e rilindjes, studiuesi ndalet gjatë, veçanërisht në tiparet e letërsisë së tyre, si përshembull panteizmi i Naimit apo fakte nga pëqasjet patriotike që ato treguan, si rasti i dialogut mes Pashko Vasës dhe sulltanit të kohës: