Shkruan: Besnik Jaha
Kur historiani shkruan histori, apriori i duhet të bazohet në burime e dëshmi. Sepse historia nuk është letërsi. Sepse para fillimit të shkrimit të historisë duhet shterur çdo burim. E, historia e shkruar shqiptare i ngjan shembullit të plakut që para vdekjes vendosi ta mësojë historinë e popullit të vet, sepse nuk dëshironte të ikte nga kjo botë para se ta (për)mbushte zbrazëtinë e brendshme që kishte për ta ditur të vërtetën për ngjarjet, vendin, zhvillimet politike, pastaj për t’i njohur paraardhësit dhe figurat themelore të kombit. Sepse historia e tyre bënte historinë e tij. Dhe kështu, sa më shumë hulumtonte, aq më shumë e vërtetonte një dukuri jo të këndshme: historia e tij e njohur gjer tani ishte histori selektuese e përjashtuese.
I gjendur para një realiteti me të cilin nuk mund të pajtohet, plaku provon ta përmbush zbrazëtinë që gjen në histori, dhe ndihet keq që këtë nuk e ka bërë qysh kur ishte i ri. Që ka pritur kaq kohë të gjatë. Për më tepër mundohet ta arsyetojë përkushtimin për plotësimin e zbrazëtisë. Sepse, thotë, është histori: ajo që u ka ndodhur atyre që ishin para nesh, ajo qe ne duhet ta dimë. Pra, është ndodhia e tyre. His-story-a e tyre.
Siç mund ta vërejmë, nuk ka emër më përcaktues sesa emri histori. Edhe Sokrati e thotë se gjithë argumentet çojnë në përfundimin se emrat duhet të jenë dhënë bazuar në një proces të natyrshëm dhe me mjetin e duhur, dhe jo sipas tekës sonë (Sokrati, Kratili). E, vetë emri i historisë po që na çon në njohjen e his-story-së.
Njeriu e ka në natyrshmëri që në moshë të shtyrë të mendojë për të kaluarën. Për atë që është objekt i historisë. Sepse nënvetëdijshëm punon të kujtohet kur nuk do të jetë më. Kur do të flitet për të, e ai të jetë vetëm histori. Ndërsa fshirja nga faqet e historisë për secilin është më e vështirë se vdekja. Sepse është harresë. E harresa e historisë gjithmonë ka derivuar përsëritjen e vuajtjes. Harresa është vula e vdekjes, thotë shkrimtari gjerman Gynter Grass (The Günter Grass Reader, Harcourt, 2004).
Historia shqipe e mësuar gjer tani nëpër shkolla vërtet se është drejtuar nga ideologjia dhe logjika e mohimit, dhe kështu ka rezultuar të jetë selektuese pjesërisht, dhe përjashtuese përgjithësisht. Dhe për këtë selektim e përjashtim dëshmon tashmë ekzistenca e librit “Dijetarë shqiptarë në Perandorinë Osmane” (1880-1912) – (Sipas dokumenteve të Meshihatit të Lartë Osman).
Libri “Dijetarë shqiptarë në Perandorinë Osmane” (1880-1912) – (Sipas dokumenteve të Meshihatit të Lartë Osman), i botuar nga Shtëpia Botuese “Dituria Islame”, pranë Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, me autorë Sadik Mehmetin, Hatixhe Ahmedin dhe Ramadan Shkodrën, është pika kyçe që plotëson zbrazëtinë e historisë sonë. Ky libër na e shfaq vetëm një copëz të vogël të një thesari që pret dhe duhet hulumtuar edhe më, pa pritur më gjatë, si te parabola e mësipërme e plakut, i cili simbolizon kohën e vonuar. Ky libër na e shfaq në copëz të një thesari që do ta prezantonte historinë dhe të kaluarën tonë më plotësisht, duke plotësuar hallkat e zinxhirit të këputur kulturor të historisë sonë.
Shpërfillja e burimeve historike
Anashkalimi dhe shpërfillja e burimeve historike, sidomos osmane, në shkrimin e historisë shqiptare për një kohë bukur të gjatë ka ndikuar që sot historinë ta kemi me plot zbrazëtira dhe tepër të nevojshme për plotësime.
Historia e shqiptarëve nën Perandorinë Osmane nga historianët shqiptarë është shkruar gjithmonë me logjikën e mohimit dhe anashkalimit të burimeve historike, sidomos osmane. Dhe, për ironi vazhdimisht është potencuar se, po, në Turqi janë arkivat plot me dëshmi për të kaluarën tonë. Kjo “prirje” e historianëve evropianë potencohet edhe prej studiuesve turq, e raste-raste edhe prej atyre seriozë evropianë. Duke qenë se shkencëtarët perëndimorë vijnë nga një sfond krejtësisht i ndryshëm, ata kanë disa “prirje” të caktuara të shpërfilljes së burimeve – thotë Mehmet Maksudoğlu, duke theksuar se ky mendim është i mbështetur te Rupert Emerson (From Emire to Nation, 1967).
Libri “Dijetarë shqiptarë në Perandorinë Osmane” (1880-1912)…”, është dëshmi se burimet historike, në këtë rast osmane, janë shpërfillur shumë në shkrimin e historisë sonë. Shembujt e jetës dhe veprës së një varg figurave elitare të kohës nga gjithandej shqiptarosfera, vendet ku kanë jetuar shqiptarët dhe është folur shqip, janë dëshmi e integrimit të shqiptarëve në institucionet dhe elitën intelektuale të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, siç i përkufizon përzgjedhja që kanë bërë autorët në këtë vëllim, mirëpo që intertekstualisht çon edhe shumë më herët. Ndërsa, nga vetë përzgjedhja e dosjeve për qytete nënkuptohen edhe dy faktorë me rëndësi: e para, se integrimi i shqiptarëve në pozita të larta intelektuale të kohës deri në periudhën që përmbledh libri vetëm se kishte bërë traditë, dhe; e dyta, se përzgjedhja e dosjeve është bërë rastësisht, pa përfillur ndonjë renditje numri. Kjo njëkohësisht dëshmon se për secilin vend ka edhe shumë dosje që përfshijnë figura e intelektualë të kohës së mëhershme apo të mëvonshme. Pra, kriteri që autorët e kanë zbatuar gjatë përzgjedhjes së dosjeve ka qenë vetëm periudha tridhjetë e dy vjeçare, nga viti 1880, deri në vitin 1912. Dhe nga kjo periudhë, përmes 193 dosjeve të personaliteteve më elitare të kohës, është prezantuar shumë edhe aspekti i ndryshimeve socio-politike dhe i realitetit edukativo-arsimor të kohës. Kemi vende që sot nuk njihen me emrin që kishin dikur, ose nuk ekzistojnë fare për shkak të shpopullimit, shkolla-medrese e xhami që nuk ekzistojnë më, territore që kanë mbetur në shtetet fqinje etj.
Shqiptarët vitin 1912 e konsiderojnë vit të çlirimit, megjithëse duhet theksuar se po ky vit është kur tokat shqiptare u copëtuan, dhe territorin shqiptar e përvetësuan vendet fqinje. Në këtë kontekst, me ndërprerjen në vitin 1912, nga libri “Dijetarë shqiptarë në Perandorinë Osmane” (1880-1912)…” nënkuptohet se pas këtij viti kemi një realitet të ri socio-politik; figurat intelektuale të kohës shpërndahen ose anatemohen, për të mbetur kështu të panjohur dhe të harruar deri më sot. Gjithsesi, në këtë kontekst edhe viti 1908, viti i alfabetit, e ka barrën e rëndë të mëkatit. Me aprovimin e alfabetit që kemi sot, për shqiptarët e mëvonshëm mbeti e panjohur dhe e mbyllur nëpër arkiva gjithë ajo që u krijua prej shqiptarëve për disa shekuj me radhë nën kulturën dhe sundimin osman, pra në shqip e në alfabetin arab. Ndërsa me ardhjen e regjimit totalitar u investua edhe më që të anatemohet e të harrohet. E, libri “Dijetarë shqiptarë në Perandorinë Osmane” (1880-1912)…” është hallka që lidh zinxhirin e këputur për 100 vjet të kulturës shqiptare. Të historisë së arsimit dhe institucioneve te shqiptarët nën sundimin osman.
193 personalitete nga 40 vende
Libri “Dijetarë shqiptarë në Perandorinë Osmane” (1880-1912)…” i autorëve S. Mehmeti, H. Ahmedi dhe R. Shkodra është një lloj katalogu përmbledhës thuajse dyqind personaliteteve, renditur sipas rendit alfabetik, nga 40 vende të ndryshme gjithandej shqiptarosferës. Vendi me më së shumti personalitete në këtë libër paraqitet Gjirokastra, me gjithsej 20, ndërsa më pas vijnë Dibra me 15, Prizreni e Tetova me nga 12, pastaj Prishtina, Libohova e Gjakova me nga 11 personalitete. Ndërsa, janë tetë vende që prezantohen me vetëm një përfaqësues (Mitrovica, Vushtrria, Nishi, Mati, Serfixheja, Podgorica, Durrësi dhe Drama). Kjo nuk do të thotë se këto vende nuk kishin personalitete të tjera, sepse nuk mund të besohet se, për shembull, Vushtrria të ketë pasur vetë një figurë elitare të kohës, apo njësoj Durrësi, apo Berati, Gjilani, Kumanova, Kërçova, Ulqini, Gucia e Delvina vetëm dy figura elitare. Mirëpo, nga hulumtimet e bëra gjer tani prej autorëve të këtij libri, nga këto vende janë gjetur dosje për kaq persona nga vendet e sipërpërmendura. Në këtë mënyrë ky libër luan edhe një rol me rëndësi në fushën e hulumtimeve e studimeve, atë të orientimit. Ky libër është edhe udha që duhet ndjekur, po edhe caku ku duhet arritur. Apo më saktësisht, kjo vepër është udha për të arritur te caku.
Përmes përfshirjes së gati dyqind figurave elitare të kohës, kjo vepër, duke prezantuar jetën dhe veprën e tyre, bëhet pasqyrë edhe e disa realiteteve të kohës, siç janë: vendet, institucionet arsimore të kohës, mësimdhënësit e figurave të prezantuara, struktura edukativo-arsimore e kohës (mejtepet, medresetë, shkollat e mesme Rushdije e Idadije, shkollat e larta pedagogjike Darulmualimin), kurrikula e përdorur nëpër këto struktura arsimore (lëndët, emrat e themeluesve-vakëflënësve), lagjet ku kanë qenë, xhamitë, toponimitë etj.
Këto figura intelektualësh ishin të harruara deri më sot, ndërsa dalja në dritë e tyre përmes punës së Sadik Mehmetit, Hatixhe Ahmedit dhe Ramadan Shkodrës, të dëshmuar tashmë në fushën e hulumtimeve nëpër arkiva e shkrimeve me diskurs historik, e plotëson mozaikun e tepërmangët të kulturës e historisë sonë.
Edhe vetë struktura e librit sikur plotëson hartën kulturore-historike shqiptare nën sundimin osman. Libri nis me shkrime që flasin për rëndësinë e veprës dhe elitën intelektuale shqiptare nën periudhën e sundimit osman, ndërsa më pas vazhdon me prezantimin e qyteteve dhe intelektualëve të secilit qytet që përmendet. Kështu, libri nis me qytetet e Kosovës, Prishtinën, Mitrovicën Vushtrrinë, Pejën, Gjakovën, Prizrenin e Gjilanin, vazhdon me qytetet që sot janë në Serbi, Preshevën, Nishin, Jeni Pazarin, për të dalë më pas në qytetet që sot janë në Maqedoninë e Veriut, Shkup, Tetovë, Kumanovë, Kërçovë, Qyprilli-Veles, Ohër, Manastir, Dibër, Prilepi e Shtipi ndërsa në radhë renditen qytetet që sot janë në Mal të Zi, Ulqin, Guci e Podrogicë, për të mbetur në fund ato që janë në Shqipëri, Shkodra, Kruja, Tirana, Durrësi, Kavaja, Elbasani, Peqini Berati, Gjirokastra, Libohova, Korça e Delvina, dhe ato që kanë mbetur nën Greqi, Janina, Adonjati e Drama. Vetëm rajoni i Matit renditet mes qyteteve që sot janë nën Maqedoni, pavarësisht se sot gjendet në territorin e Shqipërisë, mirëpo këtu nuk ka asgjë gabim, pasi gjithë kjo gjeografi në atë kohë ka qenë një dhe nën Perandorinë Osmane. Në fund fare na jepen edhe dy shtojca, e para shumë tematike, ndërsa e dyta e zakonshme teknike. Në shtojcën e parë kemi pesë tituj tematikë: Lista e medreseve, Lëndët kryesore që janë mësuar në medresetë e kohës, Tekstet kryesore në medresetë e kohës, Rangu i myderrizëve në Perandorinë Osmane deri në vitin 1908 dhe një Fjalorth, ndërsa në shtojcën e dytë kemi burimet e konsultuara dhe pasqyrën e librit. Tepër intriguese është edhe pjesa mes Fjalorthit dhe burimeve, me gjithë ato faksimile e dëshmi me vlerë të jashtëzakonshme.
Ky libër vërtet se është një thesar i kulturës kombëtare nën sundimin osman, ndërsa brenda tij fsheh edhe plot thesare të mahnitshme dhe tashmë lehtë të arritshme për lexuesit, siç është pjesa Tekste kryesore në medresetë e kohës, ku prezantohen edhe dijetarë shqiptarë dhe autorë librash qysh para vitit 1600, siç është Mevlana Mustafa Shemiu nga Prizreni (që vdiq pas vitit 1600) etj. Sepse nuk ka kuptim që Prishtina ta ketë pasur vetëm Mesih Prishtinasin (fundi i shekullit XV fillimi i shekullit XVI), të cilin e përmend edhe Mathias Enard në veprën e tij “Tregoju për betejat, mbretërit dhe elefantët”, apo Prizreni vetëm Suzi Çelebiun (i vdekur në vitin 1524), të njohur tashmë si intelektualë shqiptarë myslimanë të asaj kohe.
Një enciklopedi e re kombëtare
Libri “Dijetarë shqiptarë në Perandorinë Osmane (1880-1912)…” i autorëve Sadik Mehmeti, Hatixhe Ahmedi dhe Ramadan Shkodra është një enciklopedi e re kombëtare. Karakteri gjithëpërfshirës gjeografik, kriteri shkencor i dëshmimit me faksimile e fotografi, periudha tridhjetë e dy vjeçare, deri në vitin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, numri prej 193 personaliteteve nga 40 vende, institucionet edukativo-arsimore të kohës dhe dëshmitë e jetës dhe veprës së kaq figurave elitare po që e plotësojnë kriterin enciklopedik.
Ky libër u cilësua me karakter enciklopedik edhe prej myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili për këtë vepër thotë se është ndër projektet më të mëdha dhe më të rëndësishme në fushën e fjalës së shkruar dhe të studimeve që ka realizuar Bashkësia Islame e Kosovës në dekadat e fundit, dhe si e këtillë është vepra e parë me karakter enciklopedik.
Kjo vepër është e para vepër në shqip që shpalos biografinë e 193 personaliteteve bazuar komplet në dokumentet osmane të kohës, dosje të cilat nuk u trajtuan asnjëherë më parë. Në këtë kontekst, për secilin studiues të mirëfilltë është dëshmi dhe referencë e pakalueshme.
Për shqiptarët nën Perandorinë Osmane është folur e diskutuar shumë se kishin pozita e privilegje të larta. Rënia e Ballkanit nën administrimin osman që pas vitit 1389 sikur ndryshon gjithçka. Tanimë ballkanasit po kontaktonin me një kulturë të re, një qytetërim të ri, një model tjetër të rregullimit social, dhe kështu vit pas viti nisën të integrohen dhe të kenë pozita me rëndësi në administratën e Perandorisë Osmane. Gjithsesi, në krejt këtë tranzicion është me rëndësi të theksohet ruajtja e identiteteve nacionale të popujve të Ballkanit, pavarësisht kohës së gjatë të sundimit osman, gjë kjo e rrallë dhe e papërsëritur në ndonjë rast tjetër në botë. Kështu që, popujt e Ballkanit, e më veçanërisht shqiptarët, me gjurmët që kanë lënë në historinë pesëshekullore të sundimit osman në Ballkan, nga historia jo gjithmonë janë trajtuar meritueshëm dhe siç do të duhej. Nga 292 kryeministrat që kishte Perandoria Osmane, pas turqve që renditen me 140, shqiptarët janë të dytët në radhë me 49 kryeministra, për t’ua lënë radhën boshnjakëve me 20.
Thënë troç, shqiptarët nën sundimin osman realisht kishin pozitë tjetër nga ajo çfarë ka paraqitur historia e gjertanishme shqiptare, për fat të keq e trajtuar larg dëshmive e dosjeve osmane. Prandaj, ky libër është enciklopedi edhe për shkak të peshës së madhe që bart në aspektin shkencor, duke qenë i pari i këtij lloji dhe i pari që prin në rrugën e shkrimit të historisë së shqiptarëve duke i shfrytëzuar burimet e para, ato osmane, po edhe për shkak të referencialitetit që jep, si për dijetarët që përmenden e që nuk trajtohen, meqë nuk kishin dosje sepse i takonit një periudhe më të hershme, ashtu edhe për personalitetet që mbetet pas vitit 1912 dhe shpërndahen gjithandej nëpër botë. Pra, edhe pse dijetarët e përfshirë merren vetëm nga viti 1880, vit kur filloi regjistrimi me dosje personale i nëpunësve të Meshihatit të Lartë Osman, proces që ka vazhduar deri në vitin 1924, ky vëllim nuk përfshin dosjet pas vitit 1912. Dymbëdhjetë vjet dosje të dijetarëve shqiptarë në një realitet krejt tjetër në shqiptarosferë, po edhe qindra e mijëra dijetarë pa dosje të periudhës para vitit 1880 po që meritojnë përkushtimin e hulumtuesve e historianëve, të cilët tashmë e kanë shembullin që duhet ndjekur.