Zëdhënësi i presidentit të Këshillit të Bashkimit Evropian (BE), Barend Leyts, ka bërë të ditur se liderët e bllokut evropian nesër do të mbajnë një takim jozyrtar për të diskutuar zhvillimet në lidhje me tensionet Rusi-Ukrainë, transmeton KosovaPost.
Në llogarinë e tij në twitter, Leyts njoftoi se takimi do të mbahet përpara Samitit midis BE-së dhe Unionit Afrikan (AU).
“Para takimit të nesërm BE-AU do të ketë një takim jozyrtar 1-orësh të anëtarëve të Këshillit Evropian në orën 12:30 mbi gjendjen e zhvillimeve më të fundit në lidhje me Rusinë dhe Ukrainën”, shkroi Leyts.
Derisa tensionet midis Moskës dhe Kievit janë rritur në muajt e fundit, vendet perëndimore, të udhëhequr nga SHBA, kanë paralajmëruar për një pushtim të afërt rus.
Kievi, Washingtoni dhe aleatët e tij ngritën alarmin duke akuzuar Rusinë për grumbullimin e më shumë se 100 mijë trupave pranë kufirit të saj me Ukrainën.
Moska në mënyrë të përsëritur ka mohuar se po përgatitet të sulmojë fqinjin e saj ish-sovjetik, duke theksuar se trupat e saj ndodhen atje për stërvitje.
Dje, Rusia njoftoi se disa nga trupat e saj po kthehen në baza pas përfundimit të stërvitjeve.
Moska po ashtu ka denoncuar vendet perëndimore për minimin e sigurisë së saj përmes zgjerimit të NATO-s drejt kufijve të saj.
Rusia lëshoi një listë kërkesash të sigurisë për Perëndimin, përfshirë tërheqjen e dislokimeve të trupave nga disa vende ish-sovjetike dhe garanci se disa nga ato vende nuk do të anëtarësohen në NATO.
Në një përgjigje me shkrim ndaj kërkesave, Washingtoni tha se është i përkushtuar për të mbështetur “politikën e dyerve të hapura” të NATO-s, ndërkohë NATO-ja tha se qëndrimi i saj është “paralel me SHBA-në”./AA