Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në shënimin e 10-vjetorit të themelimit të partisë, ka vlerësuar se shteti sot po udhëhiqet nga njerëz anarkistë dhe pa kurrfarë trashëgimie politike.
Duke iu drejtuar sidomos të rinjve, Limaj ka theksuar se problemi nuk zgjidhet duke qenë indiferentë e duke ikur nga atdheu, andaj iu bëri thirrje të bashkohen me Frontin Opozitar (të cilin e përbëjnë AAK-Nisma dhe disa subjekte më të vogla).
Në tubim merrte pjesë dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe deputetë të kësaj partie.
Limaj ka lavdëruar kontributin që ka dhënë Nisma dhe njerëzit e saj për çlirimin, e më pas ndërtimin e Kosovës.
“Një Kosovë të zhytur në baltë, ne e transformuam, e sollëm në një shtet krenar me të gjitha shtetet e rajonit; ndërtuam autostrada, shkolla, ushtrinë, policinë. Dallimi ynë është se ne jemi munduar nuk kemi fol atë se çka kanë dashur njerëzit të dëgjojnë; ne duam që përmes politikave reale të fitojë Kosova, ne jemi maturuar, burrënuar, nuk kemi ditur ndryshe veçse kur fitoi Kosova, fituam të gjithë”, u shpreh ai.