Policia britanike ka bërë të ditur se katër personat e arrestuar në hetimin e policisë për “sulmin terrorist” të së dielës në Liverpool janë liruar pa akuzë, transmeton Kosova Post.
Zhvillimi erdhi menjëherë pasi policia publikoi emrin e njeriut që u vra në shpërthim, azilkërkuesi 32-vjeçar Emad Al Swealmeen, i cili u konvertua në fenë krishtere në vitin 2017.
Ministri i Sigurisë Damian Hinds tha se “mund të duhen javë” për të zbuluar të gjithë historinë pas sulmit.
“Kjo ka qenë një ngjarje absolutisht e tmerrshme, shumë shqetësuese”, tha ai.
Niveli i kërcënimit terrorist në Mbretërinë e Bashkuar dje u ngrit nga “i konsiderueshëm” në “i ashpër”, që do të thotë se një sulm është “shumë i mundshëm”, shkruan AA.
Vendimi erdhi pas shpërthimit të së dielës në një taksi jashtë Spitalit të Grave në Liverpool, ku u vra një person dhe u plagos një tjetër.
Policia tha se beson se një mjet shpërthyes u fut në taksi nga një pasagjer, i cili vdiq në incident, ndërsa shoferi i taksisë arriti të arratiset duke marrë disa plagë.
Policia shtoi se ata gjetën “gjëra të rëndësishme” në bastisjet dhe kontrollet pas incidentit.
Gjithashtu, dje u krye një “shpërthim i kontrolluar” në Sefton Park, Liverpool, teksa vazhdonin hetimet e policisë për incidentin.