Shkruan: Sead Zimeri
“Hamasi është një e keqe që ne duhet ta mposhtim dhe jo të protestojmë dhe demonstrojmë në emër të së keqes”, tha kryeministri izraelit në një intervistë me Bret Baier në FoxNews.
Dua të bëj dy ndërhyrje të shkurtra në lidhje me komentin e Netanyahut dhe të shpjegoj sfondin teologjik të një mendimi të tillë.
Para së gjithash, koncepti i së keqes është më i ndërlikuar dhe më i paqartë sesa përdorimi i papërgjegjshëm i tij nga Netanyahu. Por duke e lënë mënjanë këtë dhe duke rënë dakord për hir të argumentit me të se Hamasi është një e keqe që duhet mposhtur, çfarë lidhje ka kjo me vrasjet e mijëra fëmijëve? Nëse ajo që bëri Hamasi mund të përshkruhet me këto terma, me të njëjtën logjikë ajo që po bën Izraeli është gjithashtu e keqe, dhe kështu e bën shumë të vështirë mbajtjen e anës sepse të dyja palët po bëjnë keq. Të dyja palët janë të liga, duhet të jetë përfundimi nga premisa e logjikës së vetë Netanyahut. Por ai nuk e sheh kështu, dhe unë do të shpjegoj pse ai nuk e sheh kështu. Meqenëse nuk jemi në një debat teologjik, është e domosdoshme që t’i shmangim plotësisht këto koncepte nga fjalori politik. Veprimet e Hamasit kundër qytetarëve izraelitë ishin krime kundër njerëzimit, por sulmet e qeverisë izraelite kundër qytetarëve palestinezë janë gjithashtu krime kundër njerëzimit.
Nga një këndvështrim moral laik, fakti që Netanyahu synon të zhdukë Hamasin nuk i jep atij të drejtën të vrasë civilët palestinezë pa dallim. Askush nuk e konteston që njerëz të pafajshëm vdesin në luftë. Por duket se në këtë luftë po vdesin kryesisht njerëz të pafajshëm. Kjo nuk është rastësi, besoj. Politika e bërë me këtë fjalor teologjik çon në shfarosjen e plotë të njëri-tjetrit, siç po e shohim sot në Gaza. Sa herë që mendojmë përmes këtyre koncepteve teologjike, sa herë që perceptimi ynë për ngjarjet politike ankorohet dhe justifikohet me një vello teologjike, shanset janë që të mos ketë marrëveshje paqeje.
Izraeli dhe Hamasi, për fat të keq, flasin një gjuhë politike që është tërësisht teologjike, veçanërisht në përdorimin e koncepteve të së keqes dhe të mirës që lidhen me shfarosjen e plotë të njërit dhe mbështetjen e pakusht të tjetrit. Në imagjinatën teologjike-politike e keqja duhet shfarosur, por meqë e keqja ekziston gjithmonë e mishëruar në një objekt, në këtë rast te njeriu, atëherë e vetmja mënyrë për të shkatërruar të keqen është duke shkatërruar agjentin e së keqes. Përderisa njëra palë e identifikon veten si agjent të së mirës dhe tjetrin si agjent të së keqes, atëherë luftëtarit kundër së keqes i lejohet çdo gjë, përdorimi i të gjitha mjeteve për shkatërrimin e së keqes. Nuk ka ekuivalencë morale midis së keqes dhe së mirës, pavarësisht se në përdorimin e mjeteve, agjenti i së mirës mund të jetë pafundësisht më ndëshkues dhe më i tmerrshëm se agjenti i së keqes. Kjo është premisa teologjike e kësaj mënyre të menduari. E keqja ekziston në botë, ajo ka një realitet të veçantë dhe të qartë ontologjik, dhe duhet mposhtur, duhet mposhtur pavarësisht nga kostoja morale në njerëz dhe shkatërrimet e tjera materiale. Nuk ka ekuivalencë morale edhe kur agjenti i së mirës masakron të “pafajshmin” mes agjentëve të së keqes.
Pikërisht në këtë kuptim që po e artikuloj këtu disa ditë më parë në një komunikatë, Kryeministri i Izraelit iu referua Torës, më saktë historisë së Amalekitëve, një armik i Izraelit të lashtë. Urdhri i Torës është absolutisht i prerë: vritni të gjithë Amalekitët. Ata janë agjentë të së keqes. Askush dhe asgjë nuk duhet të kursehet, as fëmijët dhe as kafshët. Kjo është gjuha teologjike që justifikon shfarosjen e një populli të tërë në emër të shfarosjes së së keqes nga mesi i tyre.
Përdorimi i këtyre koncepteve dhe i kësaj forme mendimi çon në dehumanizimin e plotë të tjetrit që është i pashmangshëm këtu, sepse tjetri është agjent i forcave të errëta, i së keqes që kërcënon të na përfshijë të gjithëve. Shfarosja e tjetrit është rezultat i të menduarit për të keqen: dhe kjo është ajo që Hamasi dhe Izraeli duan t’i bëjnë njëri-tjetrit. Sapo e etiketoni dikë si agjent të së keqes, dhe jo se ai është në kundërshtim me marrëveshjet, ligjet dhe konventat ndërkombëtare, atëherë menjëherë pason dehumanizimi i tjetrit. Sa herë që i referohemi konceptit teologjik të së keqes në politikë, dehumanizimi është i pashmangshëm. Dhe kjo është pikërisht ajo që po ndodh sot në Izrael: ata i referohen palestinezëve jo si njerëz, por si kafshë, madje më keq se kafshët. Edhe pse sot ka një ndërgjegjësim etik në rritje kudo se edhe kafshët kanë një status moral që duhet respektuar; por ky nuk është problem as për Izraelin, as për Hamasin. Ata janë luftë kozmike për të mposhtur të keqen që identifikojnë tek tjetri.
Së dyti, qeveria e Izraelit është e angazhuar në një propagandë masive kozmike për të legjitimuar vrasjen e civilëve dhe e bën këtë me çdo mjet të mundshëm, të ndershëm dhe të pandershëm. Shihni si i interpreton Netanyahu protestat kundër sulmit të Izraelit në Gaza, duke etiketuar miliona protestues si protestues që mbështesin të keqen. Pra, të gjithë këta njerëz, në të gjithë botën, duke përfshirë një numër shumë të madh hebrenjsh që nuk duan që në emër të tyre të kryhet gjenocidi mbi popullin palestinez, të cilët nuk e mbështesin në asnjë mënyrë Hamasin, konsiderohen nga Kryeministri i Izraelit, si përkrahës të së keqes. Nuk mendoj se është e nevojshme të theksohet se kjo nuk është e vërtetë, pasi thirrjet e tyre nuk janë në mbështetje të Hamasit, por ata kërkojnë që shteti i Izraelit të mos bëhet si Hamasi. Por kur mendoni në terma teologjikë mesjetarë, atëherë gjithsesi çdo përpjekje për të kundërshtuar sulmin e Izraelit ndaj qytetarëve palestinezë do të konsiderohet mbështetje për Hamasin, përpjekje antisemite par excellence. Sepse në këtë luftë kozmike mes të keqes (Hamasit) dhe të mirës (Izraelit), kushdo që qëndron kundër Izraelit është automatikisht në anën e së keqes, pavarësisht nëse thirret në radhën e ligjit ndërkombëtar, njerëzimit, solidaritetit me viktimat e kështu me radhë. Këto konsiderohen thjesht mënyra të ndryshme për të mbështetur të keqen. Prandaj, kërkesa për armëpushim, e nënshkruar nga 120 anëtarë të OKB-së, protestat e ndryshme në mbështetje të armëpushimit, janë të papranueshme për Izraelin, sepse mes së mirës dhe së keqes nuk mund të ketë kompromis, por vetëm fitore. Nga kjo perspektivë nuk ka qytetarë të pafajshëm në Gaza, ashtu siç nuk ka pasur qytetarë të pafajshëm nazistë, sipas një kongresmeni amerikan luftënxitës, Brian Mast. E keqja duhet të zhduket dhe sapo të filloni të mendoni në këtë mënyrë, është krejtësisht e arsyeshme nga ky këndvështrim teologjik-politik që ky agjent të humb të gjitha të drejtat e njeriut dhe vrasja e tij është krejtësisht e pranueshme dhe madje e detyrueshme. Është obligim të luftosh të keqen.
Fatkeqësisht, kjo formë e të menduarit nuk është vetëm në pronësi të Izraelit dhe Hamasit. Shikoni se si regjime të ndryshme politike identifikojnë, për shembull, komunitetin LGBT+ si agjentë të së keqes. Pas një identifikimi të tillë, vrasja, djegia dhe dhuna barbare mbi ta justifikohet dhe konsiderohet e detyrueshme. Ky është tmerri i të menduarit teologjik në politikë nga i cili supozohej se ishim të çliruar në modernitet.
Por ndërsa Izraeli dhe Hamasi janë në luftë kozmike për të shfarosur njëri-tjetrin, ne nuk mund të lejojmë që asnjëri të vazhdojë këtë çmenduri. Ata duan të vrasin njëri-tjetrin, por ne nuk mund të rrimë duarkryq sepse shpërthime të tilla rrezikojnë jo vetëm të përhapen kudo, të krijojnë më shumë urrejtje dhe terrorizëm, por në të njëjtën kohë shkëputja jonë na bën moralisht të pandjeshëm ndaj dhimbjes, vrasjes dhe tmerrit që po ndodh atje. Njollën e këtij dështimi moral nuk do ta fshijë asgjë dhe sa herë që guxojmë të dënojmë moralisht një krim tjetër diku tjetër do të na vijë era hipokrizie sepse njolla e turpit moral vazhdimisht do të kundërmojë erë të keqe të hipokrizisë. Madje do të humbasim të drejtën për të kërkuar mbështetjen dhe solidaritetin e të tjerëve me kauzat tona të drejta.