Marina amerikane thotë se ka sekuestruar një sasi të madhe armësh kallashnikov dhe municione të kontrabanduara në një varkë peshkimi nga Irani, të cilat me gjasë ishin të destinuara për Jemenin e shkatërruar nga lufta, përcjell KosovaPost.
Siç u njoftua mbrëmë, anijet patrulluese të Marinës Amerikane gjetën armë në një anije peshkimi pa shenja shtetërore, në operacionin e nisur të hënën në pjesën veriore të detit Arabik pranë Omanit dhe Pakistanit.
Detarët hipën në anijen ku ndodheshin pesë anëtarë të ekuipazhit jemenas dhe gjetën 1400 pushkë kallashnikov dhe një sasi më të madhe municioni.
Një luftë po zhvillohet në Jemen midis rebelëve Houthi të mbështetur nga Irani dhe forcave pro-qeveritare të mbështetura nga një koalicion ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite.
Vendet perëndimore dhe ekspertët e OKB-së kanë akuzuar vazhdimisht Iranin për kontrabandë të armëve të Jemenit, duke thelluar luftën civile dhe duke lejuar rebelët Houthi të sulmojnë me raketa dhe të dërgojnë dronë në Arabinë Saudite fqinje.
Irani mohon armatosjen e Houthis, pavarësisht dëshmive për të kundërtën. Një deklaratë nga Flota e Pestë e SHBA, me bazë në Bahrein, akuzoi Iranin për dërgimin e armëve dhe tha se anija po lundronte në një rrugë “të përdorur historikisht për dërgimin e paligjshëm të armëve për rebelët Houthi në Jemen”.
“Furnizimi, shitja ose transferimi i drejtpërdrejtë ose i tërthortë i armëve për Houthis shkel rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe sanksionet e SHBA-së”, thuhet në deklaratë.
Anijet patrulluese amerikane i transferuan armët e sekuestruara në destrojerin USS O’Kane përpara se të fundosnin anijen, gjë që u bë, siç u tha, për shkak të rrezikut të përgjithshëm të lundrimit në atë pjesë të Detit Arabik