Ushtruesi i detyrës së presidentit, njëherësh edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka përkujtuar Masakrën e familjes Bogujevci në Duriq të Podujevës.
Konjufca ka thënë se nuk do ta harrojnë kurrë krimet e Serbisë që janë bërë ndaj popullit të Kosovës gjatë luftës së fundit.
“Masakra ndaj familjes Bogujevci, në të cilën shumica e të vrarëve janë fëmijë dhe gra, tregon mizorinë e pashembullt të Serbisë dhe përmasat e gjenocidit që kanë bërë ndaj popullit tonë, ndaj kombit tonë duke mos i kursyer as foshnjat, as gratë, as fëmijët dhe as pleqtë. Për shkak të kësaj dhe këtij pikëllimi që kurrë nuk do të na largohet, kjo na bënë më të vendosur deri në fund t’i shkojmë drejtësisë dhe ta kërkojmë deri në fund pa pushim”.
“Zemrat e juaja dhe martirët që i kemi humbur mund të prehen të qetë vetëm atëherë kur drejtësia të vjen në vend. Lavdi, familjes Bogujevci, familjes Duriqi dhe të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të kombit që kanë rënë”, ka thënë Konjufca, gjatë homazheve që ka bërë tek familja Bogujevci./kk