Kryetarët e komunave nuk do të marrin pjesë në takimin e sotëm të ftuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Kjo është bërë e ditur nga Asociacioni i Komunave të Kosovës përmes një komunikate për media.
Arsye e bojkotit është se Asociacioni nuk është ftuar si trup në këtë takim, teksa MAPL ka ftuar vetëm kryetarët.
“Kryetarët vlerësojnë që pa AKK-në nuk duhet të marrim pjesë në këtë takim meqë nuk është hera e parë që niveli qendror vepron në këtë mënyrë”, thuhet në njoftimin e AKK-së.
Në këtë takim pritej të diskutohej për situatën epidemiologjike në Kosovë si dhe masat e reja të mundshme.
Njoftimi i plotë nga AKK:
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) pas konsultimit me kryetar të komunave ka vendosur që të kërkojë nga Kryetarët e Komunave të MOS marrin pjesë në takimin e ftuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për ditën e sotme në nora 14.00 për të diskutuar për situatën epidemiologjike në Kosovë. Arsyeja është që AKK-ja si përfaqësues dhe trup i komunave nuk është ftuar në këtë takim. MAPL-ja ka ftuar vetëm kryetarët.
Mosftesa për Asociacionin e Komunave të Kosovës bëhet me qëllime përçarëse në mes AKK dhe kryetarëve.
Kryetarët e Komunave vlerësojnë se uniteti i kryetarëve është i domosdoshëm dhe që të gjithë kryetarët do të mbeten të bashkuar si pushtet lokal që të ruhet ajo që është ndërtuar për më shumë se dy dekada në përfaqësimin e denjë të qeverisjes lokale ndaj nivelit qendror.
Kryetarët vlerësojnë që pa AKK-në nuk duhet të marrim pjesë në këtë takim meqë nuk është hera e parë që niveli qendror vepron në këtë mënyrë.
Asociacioni i Komunave të Kosovës është i Komunave dhe Ministritë duhet ta shohin atë si aleat e jo ta injorojnë. Nëse ministritë e injorojnë AKK-në, ma automatizim injorohen vetë kryetarët dhe Komunat e Kosovës.
Vlen të ceket që para një kohe AKK është larguar në mënyrë arbitrare nga komiteti anticovid si dhe ditë më parë Qeveria e Kosovës miratoi plotësim ndryshimet në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale pa konsultime me Kryetarët e Komunave.
I bëjmë thirrje MAPL, Ministrive dhe Qeverisë që të ndalojnë injorimin e AKK-se si pëfaqësues i kryetarëve dhe komunave në Republikën e Kosovës.