Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje të rregullt në të cilën ka miratuar disa projektligje dhe ka aprovuar disa rregullore e kërkesa.
Në njoftimin zyrtar, qeveria ka listuar të gjitha vendimet që ka marrë sot:
– Miratuar Projektligjin për Aderimin në Konventën për Njohjen dhe Ekzekutimin e Vendimeve të Huaja në Çështje Civile apo Tregtare. Përmes tij synojmë aderimin në këtë Konventë dhe zgjeron rrjetin e organizatave dhe konventave ndërkombëtare në të cilat është anëtare dhe konsolidon subjektivitetin juridiko-ndërkombëtar.
– Miratuar Projektligjin për Aderimin në Konventën për Marrjen e Provave Jashtë Vendit në Çështjet Civile apo Tregtare. Aderimi në këtë Konventë shërben për të lehtësuar transmetimin dhe ekzekutimin e Letrave të Kërkesave; dhe për të çuar më tej përshtatjen e metodave të ndryshme që ata përdorin për këtë qëllim, me dëshirën për të përmirësuar bashkëpunimin e ndërsjellë gjyqësor në çështjet civile ose tregtare.
– Miratuar Projektligjin për Aderimin në Konventën për Zgjedhjen e Marrëveshjeve Gjyqësore. Aderimi i Republikës së Kosovës në këtë Konventë garanton siguri e efektivitet në zgjidhjen ekskluzive të marrëveshjeve gjyqësore ndërmjet palëve në transaksionet tregtare, si dhe rregullon njohjen dhe zbatimin e vendimeve që rezultojnë nga procedurat e bazuara në marrëveshje të tilla.
– Aprovuar Rregulloren për Edukimin, Trajnimin dhe Njohjen e Shërbimeve dhe Ekspertëve në fushën e mbrojtjes nga rrezatimi bërthamor. Ajo përcakton kushtet e procedurave për formimin dhe përmirësimin e kapaciteteve profesionale në fushën e edukimit, trajnimit dhe certifikimit të shërbimeve dhe ekspertëve të angazhuar në mbrojtjen nga rrezatimi dhe sigurisë bërthamore. Përmes saj, do të sigurojmë standarde të larta dhe efektivitet në menaxhimin e rrezikut dhe në mbrojtjen nga rrezatimi për këtë sektor të rëndësishëm strategjik.
– Aprovuar Rregulloren për Menaxhimin e Programit për Zhvillim Rajonal të Balancuar e cila përcakton kushtet, kriteret dhe procedurat e menaxhimit të burimeve financiare të programit, duke përfshirë edhe formulën e financimit, kriteret, vlerësimin, menaxhimin dhe monitorimin e zbatimit të projekteve që financohen nga Programi për Zhvillim Rajonal të Balancuar.
– Aprovuar Rregulloren për Ekspertët, në përputhje me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.
– Rregulloren për Procedurat dhe Kriteret e Vlerësimit dhe Njohjes së Statusit dhe të Drejtave të Personave Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë. Kjo rregullore ka për qëllim përcaktimin e kritereve dhe procedurave për vlerësimin e personave Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë, si dhe njohjen e të drejtave të tyre në përputhje me Ligjin.
– Miratuar listën e dytë të pozitave të ekspertëve nga Raporti i dytë i Komisionit për Vlerësimin e Sistemeve Shtetërore të Informacionit dhe Komunikimit me Rëndësi Strategjike.
– Plotësuar dhe ndryshuar vendimin përfundimtar Nr.05/188 të datës 14 shkurt 2024. Me miratimin e këtij plotësim-ndryshimi, Departamenti i Shpronësimit do të ketë mundësinë që të realizojë pagesën për pronat e shpronësuara, për Projektin “Mbrojtja dhe Menaxhimi i Trashëgimisë Kulturore: Konservimi dhe Investimi në Lokalitetin Arkeologjik Municipiumi Ulpiana – Justiniana Secunda”, që njëherit është pjesë e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme.
– Plotësuar dhe ndryshuar vendimin përfundimtar Nr.35/178 të datës 13 dhjetor 2023. Me miratimin e këtij vendimi i jepet mundësia Departamentit të Shpronësimit të realizojë pagesat për pronat e shpronësuara. Ky vendim është pjesë e Projektit “Mbrojtja dhe Menaxhimi i Trashëgimisë Kulturore, Konservimi dhe Investimi në Lokalitetin Arkeologjik të Dresnikut”, që përfshin një zonë të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme, në Zonën Kadastrale të Dresnikut, të komunës së Klinës. Ky zhvillim nënvizon angazhimin e institucioneve për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.
– Kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e Autorizimit Ministres së Drejtësisë për nënshkrimin e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Francës.
– Kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e Autorizimit Ministres së Drejtësisë për nënshkrimin e Marrëveshjes për Ekstradim ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Francës. Republika e Kosovës ka arritur të avancojë pozicionin e saj në marrëdhënie ndërkombëtare dhe jemi shtet me standarde të larta të demokracisë e nivel të lartë të sundimit të ligjit, andaj në këtë linjë, tani Republika franceze është pajtuar që të avancohet tutje bashkëpunimi në fushën e ekstradimeve.
– Aprovuar kërkesën e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim për transfer të mjeteve buxhetore në shumën deri në 800 mijë euro, deri nën 25% të ndarjes së ndikuar negativisht për vitin 2024, lidhur me përmbushjen e obligimeve që dalin nga marrëveshja me Organizatën Ndërkombëtare për Migrim (IOM).
– Rialokuar mjete buxhetore në shumë prej 50 mijë euro nga projekti kapital “Programi komunal për zhvillim të infrastrukturës socio-ekonomike dhe bashkëpunim nder-komunal”, në projektin e ri kapital, Asfaltimi i Rrugëve “Pushka e Parë” dhe “Ali Gollaku” në Komunën e Obiliqit.
– Dhënë në shfrytëzim pronat e menaxhuara nga Agjencia Pyjore e Kosovës për nevoja të Komunës së Dragashit.
– Emëruar Jeton Qelën, Sekretar të Përgjithshëm në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.
– Plotësuar dhe ndryshuar vendimin e Qeverisë Nr. 10/68 të datës 23 mars 2022, në mënyrë që të mundësojë pranimin edhe të gazetarit të 21-të ukrainas në kuadër të programit Journalists-in-Residence Kosovo të financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
– Aprovuar kërkesën e Ministrisë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për transfer të mjeteve buxhetore në shumë prej 1,999,000.00 për Përkrahje të Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme për blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese.
– Miratuar Nismën për lidhjen e Marrëveshjes për projektin “Efiçienca e Energjisë në ndërtesa Publike në Prizren nga “Programi Rajonal i Efiçiencës së Energjisë për Ballkanin Perëndimor. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka sjellë për aprovim nismën për negocimin e Marrëveshjes së Grantit në mes të Republikës së Kosovës, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Komunës së Prizrenit për projektin “Efiçienca e Energjisë në Ndërtesa Publike në Prizren”. Shuma e Grantit është 270,000 euro, dhe do të përdorën për realizimin e punimeve për rindërtimin, rehabilitimin ose rinovimin e një sërë ndërtesash publike
– Ndryshuar dhe plotësuar vendimin e Qeverisë Nr.15/158 të datës 29 nëntor 2013, bazuar në Rregulloren 2018/1806 të BE-së (“Rregullorja e Vizave”). Komisioni Evropian monitoron përmbushjen dhe respektimin e vazhdueshëm të kritereve specifike të cilat rrjedhin nga marrëveshja për lëvizje të lirë. Si rezultat i kësaj, Komisioni Evropian në vazhdimësi përgatitë raporte si pjesë e Mekanizmit të Pezullimit të Vizave të cilat kanë për qëllim të monitorojnë përafrimin e politikave të vizave me BE-në. Me këtë plotësim ndryshim vendoset regjimi i vizave për qytetarët e Republikës së Botsuanës, Republikës së Namibisë dhe Republikës së Afrikës së Jugut, kurse pika 8 e vendimit paraprak ndryshohet si në vijim: Bartësit e dokumenteve të udhëtimit të lëshuar nga Tajvani, lirohen nga kushti për të njoftuar paraprakisht Misionet Diplomatike dhe Konsullore të Republikës së Kosovës.
– Aprovuar kërkesën e MAShTI-it për transfer të brendshëm në vlerë 7,375,138.00 euro për subvencionimin e blerjes së teksteve dhe materialeve mësimore për vitin shkollor 2024/2025.
– Ndarë 12,328,684.00 euro, për zbatimin e Masës 4.6 – Mbështetja e ndërmarrjeve publike, përkatësisht 4 milionë euro mbështetje për Ndërmarrjen Publike Trepça, Masës 4.1- Mbështetja për Shëndetësinë, përkatësisht 1.7 milion euro për blerjen e pajisjeve të reja dhe funksionalizim të Poliklinikës në Podujevë, dhe Masës 4.2 – Mbështetja për Arsimin, të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, përkatësisht 6.5 milionë euro për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore.
– Shkarkuar Bordin e Drejtorëve dhe emëruar Bordin e Përkohshëm të Drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini” ShA Pejë (ME).