Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se sot bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën dhe nënkryetaren e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Katarina Adançiq, kanë nënshkruar memorandumin që mundëson funksionalizimin e strehimores me qëllim të strehimit të viktimave të dhunës në familje, përcjell KosovaPost.
Në një postim në Facebook, ajo tutje tha se mbetet e përkushtuar që shërbimet e strehimit të ofrohen sa më afër viktimës pa dallim.
“Në vazhdën e veprimeve institucionale për ngritje të kapaciteteve të reja për shërbime strehimi për viktimat e dhunës, së bashku me Ministrin Sveçla dhe nënkryetaren e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Katarina Adančić, sot nënshkruam memorandumin që mundëson funksionalizimin e strehimores me qëllim të strehimit të viktimave të dhunës në familje. Mbetemi të përkushtuar që shërbimet e strehimit të ofrohen sa më afër viktimës pa dallim”, ka shkruar Haxhiu.