Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka thënë që po i koordinon aktivitetet me autoritetet e Kroacisë lidhur me përgjigjen ndaj aksidentit tragjik me autobus ku humbën jetën 10 udhëtarë shqiptarë që po vinin për Kosovë.
“Që nga mëngjesi, me përgjegjësinë më të lartë zyrtare, qytetare e kombëtare, me tërë kapacitetin tim, kam koordinuar të gjitha aktivitetet, në kontakt të pandërprerë, i cili vijon edhe më tej, me ministrin kroat të punëve të brendshme z. Bozinovic, homologun tim kroat, ministrin Banozic, shefin e forcave kroate, admiralin Hranj, ambasadorin tonë, z.Kasapolli,si dhe atasheun tonë, kolonel Hoxha”, shkruan Meha në Facebook.
“Gjithashtu në nivel të vendeve fqinje, kam kontaktuar në vazhdimësi me homologët e mi shqiptar, malazez dhe atë boshnjak”.
Mehaj po ashtu ka njoftuar që e ka autorizuar kolonel Hoxhën dhe një oficer të FSK-së që të jenë si ndërlidhës me qendrën opeative për të ofruar të gjitha kapacitetet e FSK-së në menaxhimin e tragjedisë.
“Për koordinim të brendshëm kam kontaktuar dhe jemi në vazhdimësi me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti, kolegët ministra, komandantin e KFOR-it, gjeneral Federici, stafin tim ministror dhe të FSK-së”.
“Përveç angazhimit të pandërprerë të atasheut tonë të mbrojtjes në Kroaci, kolonel Hoxha, kam autorizuar edhe një oficer të FSK-së, si anëtar i Shtabit Emergjent Qeveritar, i cili do të jetë ndërlidhës me Qendrën tonë operative për të koordinuar ofrimin e të gjitha kapaciteteve tona në shërbim të menaxhimit të tragjedisë”.
“Duke bashkëndjerë thellë me familjarët që humbën më të dashurit e tyre dhe tanë si dhe të lënduarit, Ministria e Mbrojtjes me të gjitha kapacitetet e veta dhe të FSK-së, ju sigurojmë se do të jemi pranë tyre dhe me ta, si një trup i vetëm”.
Mehaj po ashtu e ka publikuar numrin dhe e-mailin përmes së cilave adresa familjarët e udhëtarëve mund të marrin informata rreth gjendjes së këtyre të fundit.
“Numri i kontaktit për të gjithë ata që kanë nevojë për informata rreth situatës apo gjendjes së familjarëve të tyre është: +383 (0) 38 200 76 000 ose email: [email protected]”.