Meta i kundërpërgjigjet Ramës: Nuk ke fuqi të më shantazhosh

Meta i kundërpërgjigjet Ramës: Nuk ke fuqi të më shantazhosh

Pas refuzimit të presidentit të Shqipërisë për dekretimin e Gent Cakajt si ministër i Jashtëm, përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta ka arritur në një tjetër nivel, shkruan Kosova Post.

Pas reagimit të kryeministrit Rama i cili e ka cilësuar si një vendim të turpshëm dhe anti-kushtetues refuzimin e Metës për dekretimin e Cakajt si ministër të jashtëm, Presidenti Meta ka reaguar sot përmes një statusi të ashpër ndaj kryeministrit.

Ai ka thënë se Rama nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe se nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që ndalon e interpreton kompetencat që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë

“Ai që guxoi të kërcënojë komisar Zaganin pse denoncoi bashkëpunimin e trafikantëve të drogës me pushtetarët, ai që guxoi të kërcënojë nënkomisarin e Fushë-Krujës pse hetoi dhunimin e një vajze nga djali i një deputeti, ai që guxoi të kërcënojë një profesor të nderuar vetëm pse i shkruajti një letër Presidentit të Republikës në mbrojtje të interesit kombëtar, ai që kërcënon çdo ditë gazetarë e pronarë mediash, ai që kërcënon prokurorë e gjyqtarë, ai që kërcënon opozitarë dhe dëshmitarë, ai që urdhëron falsifikimin e letrave të tenderave e deri tek dokumente të sigurisë kombëtare bëri gabimin fatal të kërcënojë edhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë të drejtpërdrejtë.Nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë.Nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që ndalon e interpreton kompetencat që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Presidentit, për emërimin e shkarkimin e ministrave e në veçanti të atyre që janë anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Interesi kombëtar i pari! Shqipëria e Para”, ka shkruar Meta.