Ministrat e Jashtëm nga fuqitë e mëdha botërore të G7-ës janë shprehur se personat përgjegjës për sulmet ushtarake ruse ndaj civilëve në Ukrainë duhet të mbajnë përgjegjësi për krimet e tyre. Reagimi vjen pas raportimeve të shumta për përdorimin e bombave dhe municioneve të tjera të ndaluara.
Në një deklaratë pas bisedimeve në Bruksel këtë pasdite, ministrat thanë se janë “thellësisht të shqetësuar për numrin katastrofik të viktimave nga sulmet e vazhdueshme të Rusisë kundër popullsisë civile të Ukrainës”.
Ata theksojnë se “sulmet pa dallim janë të ndaluara nga ligji ndërkombëtar humanitar” dhe se do të mbahet përgjegjësi për krimet e luftës, duke përfshirë përdorimin pa dallim të armëve kundër civilëve.”
Ministrat paralajmëruan gjithashtu Rusinë për masa të mëtejshme, duke thënë: “Ne do të vazhdojmë të vendosim sanksione të mëtejshme të ashpra në përgjigje të agresionit rus, të mundësuar nga regjimi i Lukashenkos në Bjellorusi.
“Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të ndalojë sulmet e saj veçanërisht ato në afërsi të drejtpërdrejtë të termocentraleve bërthamore të Ukrainës.” /abcnews.al/