Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka pritur sot në takim drejtorin e Komunikimit dhe Kibernetikës të Komandës së Forcave Amerikane për Evropë Gjeneral Major John Phillips, përcjell KosovaPost.
Në këtë takim ministri Maqedonci e ka falenderuar për mbështetjen e pakursyes të Komandës së Forcave Amerikane për Evropë (EUCOM) në zhvillimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në përgjithësi, veçanërisht të atyre në fushën e komunikimit dhe mbrojtjes kibernetike.
“Sot pata kënaqësinë që të pres në Ministrinë e Mbrojtjes, Drejtorin e Komunikimit dhe Kibernetikës të Komandës së Forcave Amerikane për Evropë (J6 EUCOM), Gjeneral Major John Phillips.
Vizita e tij në vendin tonë po realizohet në kuadrin e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm dypalësh ndërmjet vendeve tona në fushën e sigurisë së informacioneve dhe komunikimit, e që do të kurorëzohet me nënshkrimin e Marrëveshjes për Ndërveprimin dhe Sigurinë e Komunikimeve, marrëveshje kjo e cila është në fazën e fundit të dakordimit.
Gjeneralin Phillips e falemnderova për mbështetjen e pakursyes të Komandës së Forcave Amerikane për Evropë (EUCOM) në zhvillimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në përgjithësi, dhe veçanërisht të atyre në fushën e komunikimit dhe mbrojtjes kibernetike, duke shprehur bindjen se ky bashkëpunim do vijojë të fuqizohet edhe më tej në të ardhmen.”, ka bërë të ditur ministri Maqedonci në një postim në facebook.