Në kuadër të takimeve me përfaqësuesit e korit diplomatik në Kosovë, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, priti sot në zyrën e tij, ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, përcjell KosovaPost.
Me këtë rast, Ministri Mehaj shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e lartë për shtetin mik, Konfederatën Zvicerane, për përkrahjen e madhe dhënë vendit tonë në rindërtimin, zhvillimin dhe konsolidimin politik, ekonomik, institucional dhe shoqëror.
Ai gjithashtu theksoi mirënjohjen e lartë për shërbimin e kontingjentit ushtarak zviceran në kuadër të misionit të KFOR-it në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në vendin tonë dhe atë rajonal. Ndër të tjera, ministri Mehaj e njoftoi edhe me të arriturat e deritashme, zhvillimet aktuale si dhe qëllimet dhe objektivat e tij për të ardhmen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, si dhe intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet ministrive të mbrojtjes së dy vendeve në fushat e interesit të përbashkët.
Nga ana e tij ambasadori Kolly, shprehu vlerësimin e tij të lartë për lidershipin e Ministrit Mehaj, si ish-ushtarak nga zonat e operacioneve paqeruajtëse në Afganistan, ku ai kishte shërbyer si ambasador, duke vlerësuar vizionin e tij dhe duke u dakorduar për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit bilateral në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.