Në konferencën e fundvitit, ministri i Bujqësisë, Faton Peci është krenuar me punën e tij, si ministër i Bujqësisë, para gazetarëve, shkruan KosovaPost.
Peci ka theksuar se asnjëherë në Qeverinë e Republikës së Kosovës nuk ka patur ndonjë strategji për zhvillimin e bujqësisë, duke shtuar se këtë e bëri ai sëbashku me kabinetin e tij.
Tutje ministri i Qeverisë Kurti tha se në Kosovë kishte një stagnim 9 vjeçar përsa i përket bujqësisë, ku sipas tij kur morri detyren si ministër i bujqësisë kishte shumë borxhe dhe probleme të trashëguara nga qeveritë e kaluara.
“Kemi arritur që për herë të parë në historinë ekzistencës së Ministrisë së Bujqësisë që të aprovojmë në qeveri, strategjinë për bujqësinë dhe zhvillimin rural 2022-2028. Njëkohësisht përveç strategjisë për bujqësinë të aprovojmë edhe strategjinë për pylltari 2022-2030. Do të hartojmë një numër të konsiderueshëm të koncept-dokumenteve që në përgjithësi kemi realizuar një sukses në avancimin e politikave në këtë sektor. Përveç avancimit të politikave dhe aprovimit të strategjisë për nëntë muaj dhe pas një stagnimi nëntëvjeçar të mosaprovimit të asnjë ligji në qeverinë dhe kuvendin, ne kemi arritur që për nëntë muaj të aprovojmë në qeveri 23 projektligje”, ka theksuar ai.
Ministri Peci ka shtuar se kanë përmbyllur programin e granteve për vitin 2020-2021 në vlerë prej 9,6 milionë eurosh.
Në anën tjetër ai përmendi edhe Ligjin për Pyjet është në proces dhe mund të procedohet në ditët e para të vitit të ri në Qeverinë e Kosovës.
Ai ka theksuar se vitin e ardhshëm do të kenë buxhet të plotë në vlerë prej 71 milionë eurosh.
“Agjencia e Pyjeve të Kosovës ka të hyra rekord më të mëdha të realizuara ndonjëherë. Ka 2,2 milionë euro të hyra në kuadër të veprimtarisë që e ushtron. Kemi arritur që diku 800 mijë fidane të reja të bëjmë pyllëzime dhe deri në fillim të pranverës është një shifër prej mbi 1 milion euro të cilat do të realizohen. Viti 2022 do të jetë vit shumë më i lehtë për sektorin e bujqësisë për shkak se ne futemi me kapacitete të plota buxhetore. Viti 2022 do të jetë vit me një rritje buxhetore prej 11 milionë euro”, ka shtuar Peci.
Peci tha se një nga prioritet e tij është zhvillimi i zonave rurale, duke u zotuar se vitin e ardhshëm do të ketë rritje buxhetore për shumë kultura bujqësore.