Ministri i Arsimit i Turqisë, Mahmut Özer, në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, vizitoi qytetin e Prizrenit, transmeton KosovaPost.
Özer vizitoi shkollën fillore “Motrat Qiriazi” në Prizren, ku arsimi zhvillohet në gjuhët shqipe, turke dhe boshnjake, dhe realizoi bisedë me mësimdhënësit.
Özer dhe delegacioni i tij u dhuruan çanta fëmijëve në shkollë. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) dhe ministri i Zhvillimit Rajonal të Kosovës, Fikrim Damka, Ambasadori i Turqisë në Prishtinë Çağrı Sakar, kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka dhe deputetë të KDTP-së.
Gjatë ceremonisë u intonua himni kombëtar i Kosovës dhe ai i Turqisë, ndërsa nxënësit zhvilluan shfaqje ku recituan poezi dhe performuan oratorio.
Ministri Özer në fjalën e tij tha se një nga aspektet më të mira të kësaj shkolle është se ajo ofron arsim në tri gjuhë, shqip, turqisht dhe boshnjakisht.
Duke nënvizuar se marrëdhëniet mes Turqisë dhe Kosovës po forcohen çdo ditë, Özer tha: “Nga arsimi në kulturë, nga turizmi në fusha të ndryshme, Turqia me të vërtetë po ndërmerr hapa shumë të rëndësishëm për të bashkëpunuar dhe mbështetur Kosovën”.
Ai tha se si Ministri do të ofrojnë të gjitha llojet e mbështetjes për ngritjen e cilësisë së arsimit në mbarë Kosovën, për të plotësuar nevojat për materiale arsimore dhe për të ndërmarrë iniciativa të rëndësishme sa i përket arsimit profesional.
Özer tha se nesër në kuadër të qëndrimit të tij në Kosovë do të kenë një takim gjithëpërfshirës me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës, Arbërie Nagavci, duke shtuar se kjo ditë do të jetë dita kur do të hapet një derë e re bashkëpunimi në kuadër të të cilit të gjitha mundësitë e Turqisë në arsim do të transferohen në Kosovë.
“Të gjitha njësitë përkatëse të ministrisë sonë janë të gatshme të ndajnë përvojat e tyre me ju, nga arsimi special në arsimin fillor, nga arsimi i mesëm deri tek zhvillimi profesional. Pak kohë më parë, mësuesi i nderuar tha se shpreson që këto nuk do të mbeten vetëm dëshira dhe urime. Ndërsa vizituam shkollën në Mamushë, porositëm 2.600 tableta nga Turqia, ato po vijnë. Shpresojmë që ne do të vazhdojmë të jemi me ju me të gjitha mjetet tona”, theksoi ministri turk.
Ministri i Zhvillimit Rajonal të Kosovës Damka po ashtu tha se mbështetja e ofruar nga Turqia në shumë pjesë të Kosovës është shumë e vlefshme për ta.
“Kjo mbështetje do të ofrohet jo vetëm për fëmijët turq, por për të gjithë fëmijët që mësojnë në Kosovë. Fëmijët boshnjakë, shqiptarë dhe turq do të përfitojnë nga sistemi i kodimit kompjuterik që do të hapet këtu. Në fakt, do të jetë Kosova jonë ajo që do të zhvillohet”, deklaroi Damka.
Po ashtu, kryetari i Komunës së Prizrenit, Haskuka, tha se shkolla “Motrat Qiriazi” zbulon të gjitha vlerat e Prizrenit.
“Të gjitha komunitetet jetojnë këtu. Mësimi ofrohet në gjuhën shqipe, turke dhe boshnjake. Ata e bëjnë këtë duke jetuar së bashku. (Kjo shkollë) Është një miniaturë e Prizrenit. Faleminderit që erdhën në këtë shkollë dhe Prizren”, u shpreh Haskuka.
Pasi vizitoi selinë e KDTP-së pas shkollës, Özer vizitoi edhe Sheshin Shatërvan dhe xhaminë historike të Sinan Pashës në Prizren.
Në kuadër të takimeve të tij në Prizren, Özer bëri një vizitë edhe në kryesinë e forcave turke që veprojnë në kuadër të KFOR-it, ku zhvilloi takim prapa dyerve të mbyllura me shefin e këtyre forcave, kolonel Serkan Ceylan.
Özer vizitoi edhe Shoqatën e Mësimdhënësve Turq së Kosovës në Prizren./AA