Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zëvendëskryeministre, është deklaruar e pafajshme lidhur me akuzën për mosraportim të pasurisë, në shqyrtimin fillestar të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Deklarimin rreth fajësisë, ministrja Gërvalla e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori Paulin Pashku.
“Jam tërësisht e pafajshme”, tha Gërvalla.
Gjykatësi i rastit Dibran Jusufi e njoftoi atë dhe mbrojtësen e saj, Saranda Keqekolla-Sadiku, se mund të paraqesin në afat prej 30 ditësh kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
Në seancë mungoi përfaqësuesi i Agjencisë Kundër Korrupsionit, tani Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK).
Më 20 qershor 2023, Gjykata kishte caktuar mbajtjen e shqyrtimit fillestar, mirëpo seanca kishte dështuar pasi që ministrja nuk kishte angazhuar avokat , raporton “Betimi për Drejtësi“.Rasti i ministres Gërvalla ishte caktuar tek gjykatësi Adnan Kamberi, gjykatës në Departamentin e Përgjithshëm, Divizioni Penal, mirëpo për shkak të largimit të tij jashtë vendit, lënda tashmë do të gjykohet nga gjykatësi Dibran Jusufi.