Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë të martën e ka shpallur fajtorë Murat Jasharin, për tentim vrasje të Azem Vllasit dhe për armëmbajtje pa leje.
Ndaj Jasharit gjykata ka shqiptuar masën e trajtimit të detyrueshëm psikiastrik me ndalim në Institutin e Psikiastrisë Forenzike në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktvendimi ndaj Murat Jasharit është shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Musa Konxheli.
Kjo masë, sipas gjykatësit Konxheli, do të fillojë të zbatohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktvendimi.
Gjykata e ka obliguar institucionin përkatës të kujdesit shëndetësor, që ta njoftoj gjykatën me raport me shkrim mbi implementimin e masës dhe gjendjen shëndetësore të Murat Jasharit.
Gjykatësi Konxheli njoftoi se ky raportim nga institucioni përkatës, duhet të bëhet së paku një herë në gjashtë muaj.
Sipas gjykatësit, kjo masë do të jetë në fuqi deri në pushimin e rrethanave për të cilat është ajo është shqiptuar, bazuar në raportet dhe ekzaminimet e Institutit të Psikiatrisë Forenzike.
Po ashtu, gjykata mori vendim edhe për konfiskimin e përhershëm të pistoletës dhe të një karikatori, të cilën e ka poseduar pa lejen e organit kompetent Murat Jashari.
I akuzuari Murat Jashari është liruar nga shpenzimet procedurale, ashtu që këto shpenzime bien në barrë të buxhetit të shtetit.
Me aktvendim të veçantë, Murat Jasharit i është vazhduar paraburgimi deri në plotfuqishmërinë e këtij aktvendimi.
Paraburgimi do të mbahet në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë.
Ndaj këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 8 ditësh nga pranimi i tij.
Ndryshe, Gjykata e Apelit në korrik të vitit të kaluar e kishte kthyer në pikën zero rastin e njohur si “Syri i Popullit”, dhe pas rigjykimit, PSRK-ja kishte paraqitur propozim për shqiptimin e masës së trajtimit të detyrueshëm ndaj Murat Jasharit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
PSRK më 27 tetor 2020 kishte ngritur një propozim për shqyrtimin e masës së trajtimit të detyrueshëm psikiatrik me ndalim ndaj të pandehurit Murat Jashari.
Sipas këtij propozimi, me 13 mars 2017, në ora 7:50 në rrugën Hajdar Dushi në Prishtinë, Jashari duke qenë në gjendje të pa aftësisë mendore dhe duke mos i kontrolluar veprimet e veta për shkak të çrregullimit skizoafektiv-maniakal me karakter të përhershëm me psikopatologjik të shkallës nga mesatarja në të rëndë, ka tentuar që ta privoj nga jeta të dëmtuarin Azem Vllasi.
Sipas propozimit, Jashari duke e konsideruar Vllasin si tradhtarë për shkak të qëndrimeve të tij lidhur me demonstratat viti 1981 dhe çështjeve kombëtare, fillimisht ka shkuar në zyrën e tij ku është interesuar për të dëmtuarin ta angazhojë si avokat në një çështje civile, ndërsa i dëmtuari i ka thënë se nuk merret me çështje civile dhe i ka thënë “prit pak ta jap një numër të një avokati tjetër”.
Në këtë moment, i pandehuri sipas propozimit, e ka nxjerrë pistoletën e tij dhe ia ka drejtuar në ballë të dëmtuarit dhe gjatë kacafytjes mes tyre, Jashari e ka qëlluar në pjesën e majtë të kraharorit Vllasin, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Pasi ishte larguar nga vendi i ngjarjes, Policia e Kosovës e kishte arrestuar Jasharin rreth orës 12:00, në motelin “Fontana” në Prishtinë, me ç’rast tek i njëjti ishte gjetur edhe një revole e tipit Crvena Zastava.
Ndryshe, ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit në korrik të këtij viti.
Në këtë rast për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe vepra të tjera penale, akuzoheshin Sadri Ramabaja, Murat Jashari, Ragip Sallova, Avni Llumnica, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha dhe Rexhep Topllana, mirëpo të njëjtit tashmë nuk do të gjykohen për këto vepra penale, pasi që pas aktvendimit të Apelit, Prokuroria Speciale ka përpiluar aktakuzë të re.
Sipas aktakuzës së re të akuzuar janë vetëm Sadri Ramabaja, Avni Llumnica dhe Bajrush Konjusha.
Llumnica akuzohet se në bashkëkryerje me Murat Jasharin kishin tentuar të privojnë nga jeta, Azem Vllasin.
Ramabaja akuzohet se kishte ndihmuar Llumnicën dhe Jasharin të kryejnë atentat ndaj të dëmtuarit Azem Vllasi, ndërkaq Bajrush Konjusha akuzohet për veprën penale të armëmbajtjes.
Ky rast është i njohur me emrin “Syri i Popullit” kishte filluar sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), më 27 shkurt 2018.
Lidhur me akuzën ndaj Murat Jasharit, sipas vendimit të Apelit, meqenëse i njëjti vuan nga sëmundje mendore, rasti i tij është delegjuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, e cila ka ushtruar propozim për caktimin e masës së trajtimit të detyrueshëm psikiatrik./BetimipërDrejtësi