Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka ngritur si shqetësim, siç ka thënë tendencën e partisë në pushtet për të eliminuar kontrollin parlamentar mbi qeverinë.
“E kemi ftuar sot këtë konferencë për të shprehur edhe njëherë shqetësimin tonë dhe për të ngritur edhe njëherë fuqishëm zërin tonë kundër tendencave të qeveritarëve që përmes deputetëve të shumicës, të shfuqizojnë mbikëqyrjen parlamentare si njërin nga instrumentet kryesore të demokracisë sonë. Përgjatë gjithë këtij mandati qeverisës, ne e kemi ngritur vazhdimisht zërin për keqqeverisjen që u instalua nga Lëvizja Vetëvendosje”, tha ajo.
Sipas saj, me një angazhim të vazhdueshëm kanë nxjerrë në pah tendencën kryesore të pushtetit aktual që është eliminimi i kontrollit parlamentar mbi qeverinë.
“Metoda e degjenerimit të këtij instrumenti demokratik kontrollues është elementi kryesor i pushteteve diktatoriale. Deputetët e vetëvendosjes e kanë dëshmuar se janë të papërgjegjshëm dhe tejet abuziv me besimin që morën nga qytetarët”, tha ajo.
Musliu ka përmendur njërën nga deputetet, siç e vlerësoi ajo të papërgjegjshme për funksionimin institucional, kryetaren e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, Fitore Pacolli.
RTKlive ka pyetur deputeten Pacolli për deklarimet e Musliut, por ende nuk ka marrë përgjigje.
Ndryshe edhe Ministri i Bujqësisë mbrëmë në RTK Prime foli edhe për rastin e subvencionimit të vëllait të deputetes Fitore Pacolli. Ai tha se ministri nuk e sheh asnjë aplikim.
“Unë personalisht kurrë nuk e di cili është individi që aplikon për subvencione. Në të kaluarën ka pasur akterë të rëndësishëm politik, ata që e kanë ushtruar pjesën e ndikimit për të ushtruar pjesën e ndikimit për të përcaktuar kush është përfitues i subvencioneve ose i granteve. Kësaj radhe për një moment doli akuza që vëllai i deputetes Fitore Pacolli është përfituese. Po, është përfituar, unë nuk e kam ditur e kam shprehur pjesën e interesimit, kam thënë verifikoni kush është personi në fjalë. Çështja e parë është që ministri nuk e ka asnjë ndikim. E dyta, ministri nuk e ka ushtruar asnjë ndikim. E treta askush nuk e verifikon kush është personi dhe çfarë lidhje familjare me kënd ka”, tha ai.
Sipas tij, në të kaluarën një numër i madh i zyrtarëve që janë arrestuar dhe kanë pranuar fajësinë për marrje ryshfeti dhe ka fermerë që kanë vendime të formës së prerë kanë dhënë ryshfet. Ndërsa gjatë mandatit tonë nuk është asnjë zyrtarë që është thirrur në prokurori për ndonjë rast ku pretendohet që është zhvilluar ndonjë vepër korrupsioni”, tha tutje ai
Foli edhe për rastin me Gratë e Krushës. Sipas tij të tjerët deshtën të manipulojnë me dhimbjen, sakrificën dhe vështirësitë e tyre.
“E kam parë pjesën e konferencës, por nuk e di sinqerisht pse më janë drejtuar mua. Ka pasur konstatim që unë kam interferuar që mos të jenë ata përfitues të grandit ndërsa njëkohësisht ka fituar një vëlla i një deputeteje. Unë kam shkuar në ministri e kam pyetur, më tregoni çka ka ndodhur me gratë e Krushës meqë dhembja e tyre është dhembje e Kosovës, por pavarëisht kësaj nuk mund të interferojë as në raste të tilla. Kam parë që PDK e krijoi një slogan duke shfrytëzuar tragjedinë kombëtare që ka ndodhur në Krushë. Unë kam parë që gjatë periudhës kur PDK drejtoi Ministrinë e Bujqësisë ata janë shpallur fillimisht fitues të grantit e pastaj i është anuluar granti”, deklaroi Peci.rtk