Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se së shpejti do të hapet konkurs për rekrutimin e 20 inspektorëve në arsim, me synimin për të siguruar cilësi në arsim, zgjedhje të problemeve në shkolla, mundësi me të madhe për monitorim dhe inspektim të institucioneve arsimore, si dhe vlerësim të performancës së mësimdhënësve, drejtorëve dhe zv. drejtorëve, përcjell KosovaPost.
Ministrja tha se Inspektorati i arsimit deri më tani ka funksionuar me kapacitete shumë të limituara, me vetëm 30 inspektorë të cilët mbulojnë tërë Kosovën.
“Fokusi ynë është që rekrutimi të bëhet sipas 7 fushave të kurrikulës arsimore, duke plotësuar vendet e lira me kuadrin që e kemi në mungesë. Edhe për vitin e ardhshëm kemi planifikuar të pranojmë 20 inspektorë tjerë të arsimit. Me qasje gjithëpërfshirëse e shumë dimensionale do të përmirësojmë cilësinë në arsim”, shkroi Nagavci në një postim në Facebook.
Postimi i plotë:
Inspektorati i arsimit deri tash ka funksionuar me kapacitete shumë të limituara, me vetëm 30 inspektorë të cilët mbulojnë tërë Republikën e Kosovës.
Në mbledhjen e 99 të Qeverisë, kemi votuar komisionin intervistues, për rekrutimin e 20 inspektorëve dhe shumë shpejt do të hapet konkursi.
Fokusi ynë është që rekrutimi të bëhet sipas 7 fushave të kurrikulës arsimore, duke plotësuar vendet e lira me kuadrin që e kemi në mungesë.
Edhe për vitin e ardhshëm kemi planifikuar të pranojmë 20 inspektorë tjerë të arsimit.
Me rritjen e numrit të inspektorëve të arsimit synojmë:
📌 Të sigurojmë cilësi në arsim;
📌 Të jemi me afër problemeve në shkolla;
📌 Të kemi më shumë mundësi të monitorojmë e inspektojmë institucionet arsimore;
📌 Të vlerësojmë performancën e mësimdhënësve, drejtorëve dhe zv. drejtorëve si dhe performancën e shkollës.
Me qasje gjithpërfshirëse e shumë dimensionale do të përmirësojmë cilësinë në arsim.