“Policia e Kosovës mbrëmë ka ndaluar drejtorin e shkollës fillore nga Gojbulë në pikën kufitare në Jarinjë. Arsyeja ishte se ai kishte me vete vulat e kësaj shkolle”, ka bërë të ditur drejtori i zyrës i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviq.
Policia e Kosovës ka konfirmuar për portalin KoSSev se ka marrë në pyetje personin që është prezantuar si drejtor i shkollës në Gojbulë dhe ia ka marrë vulat e strukturave paralele serbe të cilat i ka pasur në një çantë dore, por thonë se kjo ka ndodhur në orët e vona të pasdites dhe në pikën kufitare në Bërnjak.
“Sonte policia e Kurtit ka ndaluar drejtorin e shkollës fillore nga Gojbula në Jarinjë, pasi me vete kishte vulat e shkollës serbe”, ka shkruar Petkoviq në rrjetin social X.
Më tej ai shprehet se ky drejtor është liruar pas marrjes në pyetje, ndërsa vulat i janë marrë.
Ai ka thënë se për këtë rast, për të cilin, sipas fjalëve të tij “po shkelet marrëveshja në mënyrë të drejtpërdrejtë”, janë informuar edhe Bashkimi Evropian, por edhe vendet e QUINT-it,.
“Sulmi ndaj shkollave serbe do të ishte fundi i gjithçkaje”, ka thënë Petkoviq
Me kërkesë të Kossevit zëvendëskomandanti i PK-së së rajonit të Veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar se është dërguar në mbajtje për t’u marrë në pyetje një person me iniciale V. M, i cili është prezantuar si drejtor i shkollës në Gojbulë.
Megjithatë, ai ka sqaruar se kjo ka ndodhur në Bërnjak, jo në Jarinjë.
Ai shpjegon se V. M. ka shkuar në këmbë në vendkalimin kufitar për të hyrë në Serbi dhe se ka pasur një çantë me vete.
“Rreth orës 14:00, në Bërnjak, policia ka kontrolluar V. M, (1980) dhe në çantën e tij kishte dy vula të strukturave paralele në gjuhën serbe që shkruante Shkolla fillore “21. Nëntor” Vushtrri”, ka thënë Elshani.
Ai ka treguar se ky person është ndaluar nga policia kufitare, e cila ka hapur edhe rastin. V. M. është liruar pas marrjes në pyetje, ndërsa konfirmohet se policia ka konfiskuar vulat, shkruan gazeta express.Elshani ka konfirmuar se rastin do ta marrë përsipër Njësiti i Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës në Mitrovicën Jugore.