Një fëmijë 6 vjeçar po dyshohet se është keqtrajtuar nga punonjëset e një qendre për trajtimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Lipjan, raporton Kosova Post.
Sipas nënës së fëmijës Lumturije Mehmeti, vajza e saj e cila është e diagnostikuar me sindromin Cri du chat, psikologia dhe logopedja e qendrës ‘Smile’ kanë ushtruar dhunë fizike mbi fëmijën e saj.
“Vajza ka dalë nga dhoma e terapisë edhe ka pas shenja në fytyrë dhe vetëm qajke. Vazhdojke me dënesë edhe ra në prehen te unë” tha zonja Mehmeti, në një deklaratë për Kosova Post.
Sipas nënës së vajzës, tri ditë më pas, ajo kishte vërejtur edhe shenja dhune në fëmijën. Ajo rrëfen më tej se si e kishte telefonuar qendrën, për të kërkuar sqarim për gjendjen e fëmijës.
“Fola me gruan e drejtorit edhe i thash a mundesh me m‘tregu kush ia ka bo qeto shenja çikës? Kur ia dërgova fotot, filloi me bërtit edhe më tha: me çfarë fytyre m’i dërgon këto foto?”
Pas shfaqjes së pakënaqësisë, nga ana e nënës së pacientes, stafi i qendrës Smile kishte ndërmjetësuar përmes një personi të tretë. Sipas Mehmetit përfaqësuesja i kishte premtuar se fëmija i saj do të trajtohej në mënyrë dinjitoze dhe i kishte kërkuar që të mbyllej çështja e keqtrajtimit të fëmijës.
Mehmeti kishe vazhduar ta dërgonte vajzën në trajtim derisa stafi i qendrës vendosen ta përjashtonin.
Ajo është e bindur se shkak për përjashtimin e tyre, u bënë akuzat që menaxheri i kësaj qendre pati ndaj saj, me arsyetimin se i ka thyer rregullat e institucionit.
Por Mehemeti mohon të ketë thyer rregullat e kësaj qendre. “Vajza ka qenë me psikologen dhe logopeden në zyrë dhe e dëgjova që filloj me qajt, edhe i mshojke derës. Unë vetëm u afrova te dera edhe u ardh Muhamet Qeriqi edhe më tha: Lume krejt rregullat e qendrës i ke thy.”
Pas përpjekjeve të vazhdueshme për të kontaktuar me qendrën, përfaqësuesi i saj, Muhamet Qeriqi, refuzoj të fliste në lidhej me ngjarjen. Sipas tij rastin është duke e trajtuar policia e Kosovës, pasi nëna e fëmijës ka incizuar bisedën e bërë me përfaqësuesit e qendrës dhe ka cenuar konfidencialitetin e punës.
Vlen të përmendet së për rastin në fjalë kishte reaguar edhe aktivistja për të drejta e fëmijëve me aftësi të kufizuara, njëherësh edhe asambleiste nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë Leonora Shabin Bajraktari.
Bajraktari, duke u solidarizuar me nënën e viktimës, ka bërë thirrje që të kihet kujdes më shumë për këto raste:
“Nëse nuk dëgjohet zani i nanave, do të ndodh një tërmet, priteni… OJQ-t që ofrojnë shërbime për fëmijët me nevoja të veçanta, duhet t’i kushtojnë kohë edhe nanave e jo të injorohen.”
Siç ka mësuar Kosova Post, rasti në fjalë, tashmë ndodhet në duart e policisë./LiridonaBregovina/KosovaPost/