Kanë mbetur edhe pak orë deri në përfundimin e “afatit” të shpërndarjes së fletëqortimeve ndaj serbëve lokal në Kosovë, të cilët nuk kanë ri-regjistruar automjetet e tyre.
Serbët të cilët drejtojnë automjetet e tyre me targa të llojit “KM, PR,GL, DJ” e të tjera duke filluar nga nesër do të gjobiten me nga 150 euro.
Këto gjoba do të shqiptohen nga Policia e Kosovës, në kuadër të vendimit të fundit që kishte lëshuar Qeveria e Kosovës, e afati i së cilës nuk ishte shtyrë, pavarësisht kërkesave të shumta nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
“Referuar situatës dhe zhvillimeve aktuale në vend, Policia e Kosovës në vazhdimësi përcjellë këto zhvillime dhe në aspektin operacional, bënë vlerësime profesionale konform të cilave ndërmerre masa të nevojshme, të arsyeshme dhe të ligjshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve shtetërore të Kosovës. Policia e Kosovës e ka bërë të ditur se do të filloj zbatimin e shqiptimit të gjobës sipas legjislacionit në fuqi, i cili sipas vlerësimit dhe planit policor pritet të filloj po në këtë datë (22.11.22) gjatë ndërrimit të paradites”, thuhej në njoftimin e fundit të Policisë.
Vendimit për targat Nr.05/103, deri me datë 21 nëntor ishte paraparë shqiptimi i masës së qortimit, ndërsa nga nesër fillon gjobitja, si shkalla e dytë e vendimit të Qeverisë për targat.
Edhe pse parashihej fillimisht që sot të nis shqiptimi i gjobave, kjo gjë u shty për ditën e nesërme.
E pikërisht për këtë situatë aspak të qetë, e njëkohësisht mjaftë të tensionuar në veri të vendit sot në Bruksel u takuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq bashkë me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun, Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak.
Edhe pse ky takim ishte ndër më të gjatët ndonjëherë, saktësisht rreth 8 orë takim si përfundim marrëveshje në mes palëve nuk pati.
E pikërisht për këtë, i ashpër në deklarime ndaj Kosovës ishte vetë Borrell.
Ai theksoi se palëve iu bë një propozim që të shmangej kjo situatë, por që presidenti serb Vuçiq e pranoi ndërsa kryeministri i Kosovës, Kurti nuk e pranoi atë.
“Vitin e kaluar kemi punuar nga shmangia e krizave në krizë dhe nuk kemi pas mundësi që të merremi me çështjen e normalizimit përfundimtare dhe kjo duhet të përfundojnë…Ne kemi bërë një propozim që do të mund të shmangte këtë situatë. Presidenti Vuçiq e pranoj por jo edhe kryeministri Kurti. Pres nga Kosova që menjëherë të ndal fazën e dytë për targat dhe e thërras Serbinë që menjëherë të ndal dhënien e targave. Unë po i thërras të dy palët që t’i respektojnë këto dy çështje”, tha ai.
Përpos kësaj, Borrell gjithashtu tha se do t’i paralajmëroj vendet aëntare për mos-respektin që tregoi Kosova në dialog.
Edhe pas përfundimit të takimit, Borrell para mediave kërkoi nga Kosova që të pezullojë fazat mëtejme të planit për ri-regjistrimin e makinave në veri të Kosovës.
“Pas shumë orë diskutimesh, dy palët nuk u pajtuan për zgjidhjen sot.Për hir të transparencës, ne parashtruam një propozim që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme. Presidenti Vuçiq e pranoi, por për fat të keq kryeministri Kurti nuk e pranoi”, tha Borrell.
Edhe pse nuk ka marrëveshje, ai tha se kërkon nga Kosova që menjëherë “t’i pezullojë fazat e mëtejshme” të planit për ri-regjistrimin e makinave në veri të Kosovës, ndërsa nga Serbia “të pezullojë lëshimin e targave” të reja, të tilla si KM, që në Kosovë konsiderohen të paligjshme.
“Unë u kërkoj të dya palëve t’i zbatojnë këto dy kërkesa. Kjo do të ofrojë hapësirë dhe kohë për to që të kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme për çështjen e targave.Unë do t’i informoj shtetet anëtare [të BE-së], partnerët, për sjelljen e palëve dhe mosrespektimin e detyrimit ligjor ndërkombëtar. Kjo vlen veçanërisht për Kosovën”, tha kryediplomati evropian.
Pavarësisht gjithë kësaj, Kurti deklaroi se kishte propozim që të pezullohen gjobat, e në anën tjetër Serbia të pushojë me emetimin, prodhimin dhe lëshimin e targave në Serbi, por tha se kjo është e papranueshme nëse nuk shoqërohet me atë për çfarë janë ftuar, dakordimin e gjetjes së angazhimit për marrëveshjen finale.
“Atë propozim si bazë të mirë për të zhvilluar bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve siç këtë e bënë Qeveria e Kosovës…Kemi propozimin që të pezullojmë gjobat e të vazhdojmë me qortime, e në anën tjetër Serbia të pushojë me emetimin, prodhimin dhe lëshimin e targave në Serbi, por natyrisht kjo për neve është e papranueshme nëse nuk shoqërohet me atë për çfarë jemi ftuar, pra dakordimin që me gjetë angazhimin për marrëveshjen finale, e normalizim të plotë të marrëdhënieve. Në propozimin që na kanë sjellë neve Borrell dhe Lajçak, madje ka qenë edhe afati i marsit 2023, pra që ne po vimë këtu në Bruksel për t’u marrë vesh drejt një ecje të re për marrëveshje që arrihet para marsit 2023. Me keqardhje mund të them se ndërmjetësit në këtë rast Borrell, faktikisht hoqi dorë nga ky afat i marsit 2023 dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Po them me keqardhje sepse vetë e kanë propozuar marsin e vitit 2023 dhe në anën tjetër gjithashtu propozimi është i Bashkimit Evropian. Kur u takuam në Paris në kuadër të Forumit për Paqe, Borrell tha se propozimi nuk është franko-gjerman, por i BE-së i mbështetur nga Franca dhe Gjermania”,tha Kurti.
Përpos kësaj, nga Bashkimi Evropian është folur edhe për rrezikun e mundshëm që mund të përshkojë veriun e Kosovës në vazhdim.
Prej disa javësh, veriu është në tensione e sipër.
Pas shkarkimit të drejtorit të Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Nenad Gjuriq, për sabotim të punës në lidhje me targat, rreth 600 zyrtarë policorë nga nacionaliteti serb dhanë dorëheqje.
Po ashtu Borrell theksoi sot se KFOR-i dhe EULEX-i s’kanë as mandat as kapacitet të zëvendësojnë policinë lokale.
“Kosova ka vendosur të fillojë me gjoba nga 21 nëntori, që nënkupton mesnatë sonte, për ata që nuk kanë regjistruar makinat e tyre. Kështu, serbët e Kosovës janë larguar nga institucionet e Kosovës dhe kjo nënkupton se qindra policë kanë zhveshur uniformat, gjyqtarët dhe stafi i administratës lokale është tërhequr. Kjo la mbrapa një vakuum të rrezikshëm, të madh të sigurisë, në një situatë shumë fragjile. Po, ne kemi një mision, kemi misionin e EULEX-it dhe trupat e KFOR-it janë prezent por ata nuk mund të marrin rolin e policisë lokale, nuk është në mandatin e tyre e as në kapacitetet e tyre. Sundimi i ligjit nuk duhet të jetë pretekst për eskalime dhe tensione. Ne nuk jemi duke respektuar obligimet për të cilat jemi marrë vesh vite më parë në dialog, dialogu që është ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.”, ka thënë Borrell.
Këtyre dorëheqjeve iu bashkuan edhe nga Lista Serbe. Të njëjti vendosen të largoheshin nga institucionet e Kosovës, anipse gjatë të enjtes që lamë pas deputetët u zëvendësuan tashmë në Kuvendin e Kosovës.
Dorëheqje dhanë edhe prokurorë, gjyqtarë, zyrtarë të KQZ-së e të Doganës së Kosovës nga nacionaliteti serb.
Gjatë kësaj kohe, kryeministri Kurti bëri thirrje që ata të kthehen në institucione dhe të mos i braktisin ato.
Ndërkohë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-ja është bërë thirrje që menjëherë të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, gjë të cilën e ka refuzuar publikisht kryeministri Kurti./ln